Flash

Kryeministria distancohet nga përgjegjësia për ndërhyrjet policore gjatë protestave

Lapsi.al 26 October 2026

Kryeministria distancohet nga përgjegjësia për ndërhyrjet

Nga  Xhesika Tollia

Qeveria shqiptare e cilëson përgjegjësinë për shkeljet gjatë protestave si individuale, si për qytetarët që shkelin ligjin, ashtu edhe për punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre. Ky qëndrim është bërë i ditur nga Kryeministria në përgjigje të pyetjeve të “Shteg.org”, në një kohë kur një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) kërkon hetimin e më shumë se 180 episodeve të pretenduara dhe verifikimin e përgjegjësive të mundshme deri në nivelet e larta të drejtimit të shtetit.

“Përgjegjësia është individuale, si për qytetarin që shkel ligjin, ashtu edhe për punonjësin e Policisë që tejkalon kompetencat e tij”, thuhet në përgjigjen e Kryeministrisë.

Deklarata nënvizon detyrimin për hetimin e abuzimeve të mundshme nga organet e drejtësisë.

“Sa u përket mbi 180 episodeve të pretenduara në kallëzimin penal, ato duhet të shqyrtohen individualisht, mbi bazën e provave dhe nga organet kompetente të drejtësisë. Asnjë pretendim nuk mund të konsiderohet automatikisht fakt i provuar, por asnjë shkelje e mundshme nuk mund të justifikohet apo të mbetet pa u hetuar”, thuhet në përgjigjen që Shteg.org mori nga Zyra e Shtypit e Kryeministrisë.

Dy ditë më parë, Qendra Republika, në emër të një grupi avokatësh, qytetarësh dhe organizatash, i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të hetojë rastet e pretenduara të përdorimit të paligjshëm të forcës, ndalimeve arbitrare, keqtrajtimit, pengimit të punës së gazetarëve dhe mosidentifikimit të punonjësve të policisë.

Avokatët kërkojnë gjithashtu që Prokuroria e Posaçme të verifikojë rolin e kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Ervin Demo dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit.

Në përgjigjen për “Shteg.org”, Kryeministria thotë se Rama ka zhvilluar komunikime dhe takime institucionale me ministrin e Brendshëm dhe drejtues të policisë për çështje që lidhen me sigurinë publike dhe mbrojtjen e qytetarëve gjatë protestave.

Megjithatë, institucioni bën dallimin mes komunikimit politik dhe përgjegjësisë për vendimet operative në terren.

“Kryeministri nuk ushtron komandim operacional mbi përdorimin e forcës. Çdo pretendim për përgjegjësi individuale, përfshirë ato të ngritura në një kallëzim penal, duhet të verifikohet nga organet e drejtësisë, pa ndërhyrje politike dhe pa paragjykim”, thuhet në përgjigje.

Sipas Kryeministrisë, vendimet për ndërhyrjet konkrete u takojnë strukturave përkatëse të policisë, në përputhje me ligjin.

“Megjithatë, drejtimi operacional i forcave policore, përfshirë vendimmarrjen mbi ndërhyrjet në terren, është përgjegjësi e strukturave përkatëse, sipas ligjit”, sqaron Kryeministria.

Përgjigjja, megjithatë, nuk sqaron nëse gjatë takimeve janë diskutuar posaçërisht ankesat për përdorim të tepruar të forcës apo nëse Zyra e Kryeministrit ka kërkuar raporte të veçanta për secilin prej episodeve të denoncuara.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për masat e marra pas incidenteve gjatë protestave, Kryeministria bëri të ditur se shtatë punonjës policie janë pezulluar nga detyra dhe se kanë nisur procedurat përkatëse.

Për një incident të datës 24 tetor, gjatë të cilit një qytetar pësoi dëmtim në sy, sipas përgjigjes, janë njoftuar hetime nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria.

Përgjigjja nuk jep hollësi të mëtejshme mbi rezultatet e këtyre hetimeve.

Kryeministria deklaron se policia ka detyrimin të garantojë zhvillimin e protestave paqësore, jo t’i pengojë ato. Ndërhyrjet duhet të jenë të ligjshme, të nevojshme dhe proporcionale.

Institucioni thekson gjithashtu se gazetarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa pengesa apo intimidim, ndërsa të miturit duhet të gëzojnë mbrojtjen e posaçme që parashikon ligji.

Pretendimet për shkelje të të drejtave të gazetarëve dhe të miturve, thuhet në përgjigje, duhet të shqyrtohen rast pas rasti dhe, nëse shkeljet provohen, të pasohen nga përgjegjësi administrative ose penale.

Përgjegjësi individuale apo institucionale?

 

Një nga çështjet e ngritura në kallëzimin penal të avokatëve është hetimi i rolit të kryeministrit Rama në vendimet që lidhen me menaxhimin e protestave dhe operacionet policore.

Kallëzuesit i referohen një takimi të zhvilluar më 19 tetor mes kryeministrit dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, në praninë e ministrit të Brendshëm.

Sipas Kryeministrisë, takimi ishte publik dhe kishte në fokus përshkallëzimin e dhunës, sulmet ndaj institucioneve dhe punonjësve të policisë, si dhe detyrimin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Gjatë takimit u paraqitën edhe të dhëna për personat e lënduar, përfshirë protestues, qytetarë, gazetarë dhe efektivë policie.

Qeveria thotë se mbështetja institucionale për policinë nuk nënkupton miratimin e veprimeve që shkelin ligjin.

“Mbështetja institucionale për Policinë në përmbushjen e detyrës nuk përbën mbështetje për veprime që tejkalojnë ligjin. Çdo ankesë për përdorim joproporcional të forcës duhet të trajtohet nga mekanizmat kompetentë të mbikëqyrjes dhe hetimit, pavarësisht rrethanave në të cilat ka ndodhur incidenti”, sqaron Kryeministria.

Sipas saj, vendimet operative për përdorimin e forcës dhe ndërhyrjet në terren u takojnë strukturave përkatëse të policisë, në përputhje me ligjin.

“Kryeministri nuk ushtron komandim operacional mbi përdorimin e forcës”, thuhet në përgjigje.

Kryeministria shton se çdo pretendim për përgjegjësi individuale duhet të verifikohet nga organet e drejtësisë, pa ndërhyrje politike dhe pa paragjykim.

Qeveria argumenton se mbrojtja e së drejtës për protestë nuk nënkupton tolerimin e sulmeve ndaj njerëzve, institucioneve apo pronës.

“Një shtet demokratik duhet të ketë forcën të mbrojë rendin dhe integritetin, të hetojë çdo abuzim me pushtetin. Këto nuk janë dy standarde në kundërshtim me njëri-tjetrin, por dy detyrime të së njëjtës republikë demokratike”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Shtypit të Kryeministrisë./ Shteg.org

Të këshilluara

ide

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.80

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI