
Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi se masat kundër dhunës në protesta ishin mbështetur në propozimet e bëra nga qeveria franceze dhe ajo italiane për të njëjtën çështje.
Të martën e 27 tetorit pritet që të kalojnë për miratim në Senatin francez propozimet e bëra nga Presidenti Emmanuel Macron kundër dhunës në protestat që kanë prekur disa qytete të vendit.
Nisma e quajtur "Casseurs-payeurs" (Vandalët paguajnë) kanë marrë kritika të gjera nga sindikatat, organizatat për të drejtat e njeriut dhe opozita.
Organizata si Amnesty International France dhe sindikatat argumentojnë se ky ligj ka për qëllim kryesor të frikësojë qytetarët. Duke vendosur gjoba deri në 10,000 euro, njerëzit do të mendohen dy herë përpara se të dalin në shesh, duke cenuar kështu një të drejtë kushtetuese themelore.
Kritikët e quajnë ligjin arbitrar dhe juridikisht të rrezikshëm. Sipas tyre, fakti që një protestues paqësor mund të gjobitet ose të mbahet financiarisht përgjegjës thjesht sepse ndodhej në të njëjtin grup ose afër dikujt që ka kryer vandalizëm, shkel parimin penal ku secili përgjigjet vetëm për aktet e veta.
Në mediat franceze shumë juristë dhe historianë e kanë krahasuar këtë nismë me "Loi Anti-Casseurs" të vitit 1970 (e miratuar pas lëvizjeve të majit '68 dhe e shfuqizuar më pas), e cila u kritikua ashpër për natyrën e saj autoritare dhe shtypëse.
Propozimet e tjera shoqëruese, si zgjerimi i monitorimit me dronë dhe ideja e qeverisë për të bllokuar përkohësisht rrjetet sociale gjatë trazirave, shihen si një hap drejt censurës shtetërore dhe kontrollit masiv të popullsisë.
Opozita e majtë e ka akuzuar Macronin se po përdor një "përgjigje thjesht policore dhe financiare" për të fshehur dështimet e qeverisë në menaxhimin e krizave reale, si kostoja e lartë e jetesës, reformat e debatueshme dhe problemet e thella në sistemin e arsimit. ©LAPSI.al