
Rey Manaj kërkon një tjetër fytyrë nga Kombëtarja në sfidat e Nations League. Sulmuesi kuqezi pranon se në miqësoret e qershorit skuadra nuk ishte në maksimum, ndërsa tashmë mesazhi është i qartë: të gjithë duhet të japin 100 për qind, me objektivin final Europianin. Sulmuesi rikthehet në Kombëtare me një mesazh të qartë: miqësoret e qershorit nuk mund të krahasohen me sfidat që presin kuqezinjtë në Nations League.
Sulmuesi shqiptar pranon se në atë periudhë skuadra nuk ishte në të njëjtën gjendje, pasi sezoni ishte mbyllur dhe mendjet e lojtarëve ishin te pushimet. Por jo vetëm kaq. Humbja ndaj Polonisë dhe mosarritja e objektivit kishin ndikuar edhe psikologjikisht. “Dy ndeshjet e fundit miqësore janë ndryshe nga këto që kemi tani, sepse ishin në fund të sezonit dhe të gjithë lojtarët mendonin për pushimet pas një sezoni të gjatë. Plus, vinim pas ndeshjes me Poloninë dhe të gjithë ishim të mërzitur për mosarritjen e objektivit.”
Tashmë, sipas Manajt, situata është ndryshe dhe Kombëtarja duhet të synojë kreun e grupit. Por sulmuesi e vendos Nations League në funksion të një objektivi edhe më të madh. “Ekipi i vërtetë do të jetë ky i Nations League dhe duhet të japim më të mirën për të arritur vendin e parë të grupit.”
Dhe objektivi final është i përcaktuar qartë: Europiani.
“Objektivi kryesor i yni është të arrijmë të futemi në Europian. Tani kemi Nations League, por objektivi ynë real është Europiani.” Fjalë e thënë nga Manaj, që nuk i trembet as rivalitetit për një vend titullari, por Manaj e sheh konkurrencën si një faktor pozitiv për Kombëtaren. “Rivaliteti është gjë e mirë. Kur e di që do të luash në të gjitha ndeshjet, nuk je plotësisht i motivuar. Ne këtu jemi në Kombëtare dhe të gjithë do të luajnë.”
Ndërsa për mungesën e Armando Brojës dhe Nedim Bajramit, Manaj nuk dëshiron të hyjë në vendimet e trajnerit. Ai thekson se çdo futbollist duhet të shfrytëzojë momentin kur merr ftesën. “Çdo lojtar që vjen në Kombëtare ka vlerat e veta. Kombëtarja është nivel i lartë dhe ka shumë opsione. Trajneri bën zgjedhjet e veta, ndërsa futbolli është edhe çështje momenti. Çdokush që vjen këtu duhet të japë 100%.”
Mesazh i qartë nga Manaj: ajo që ndodhi në qershor i përket së shkuarës. Tani, në Nations League, kuqezinjtë kërkojnë një tjetër ritëm dhe mbi të gjitha një tjetër mentalitet, me sytë te kreu i grupit dhe objektivi madhor, Europiani.