
Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, Rade Basta, u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, me dyshimin, ndërsa ishte drejtor i Ndërmarrjes Publike të Shërbimeve “Beogradske elektrane”, i ka shkaktuar dëme kompanisë publike me dhjetëra milionë dinarë, raportojnë mediat vendase. Basta dyshohet se ka miratuar donacione të pabaza për klube të ndryshme sportive, duke përfshirë klube më të vogla futbolli dhe basketbolli, si dhe një klub hipizmi. Sipas raportimeve, ai u arrestua në mëngjes në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit.
Autoritetet po kryejnë arrestime dhe kontrolle edhe ndaj disa personave të tjerë të lidhur me Bastën. Rade Basta shërbeu si Ministër i Ekonomisë nga tetori 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga detyra. Ai u shkarkua nga pozicioni i tij pasi i kërkoi qeverisë të “deklaronte urgjentisht vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse për shkak të agresionit kundër Ukrainës”, pas së cilës ai formoi Lëvizjen “Rruga Evropiane”.