
Gjykata e Gjirokastrës ka dënuar me 30 vite burg Thoma Mastorën, 72-vjeçarin që vrau çiftin e të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia në maj të vitit 2024, në Dropull. Vendimi i gjykatës përkon me pretencën e kërkuar nga Prokuroria.
Sipas vendimit, autorit nga dënimi do t’i zbritet periudha prej dy vitesh e kaluar në paraburgim, ndërsa pjesën e mbetur të dënimit Mastora do ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që fishekët e sekuestruar në banesën e tij t’i kalojnë shtetit, ndërsa shuma prej 5 milionë lekësh, e gjetur në banesën e viktimave, t’u kthehet trashëgimtarëve të tyre.
Sipas policisë, 72-vjeçari ka pirë kafe me çiftin e të moshuarve mbrëmjen para se të ndodhte ngjarja e rëndë.
Krimi i rëndë ndodhi pas një konflikti të çastit, i cili përshkallëzoi deri në përdorimin e sendeve të forta. Si pasojë, çifti i të moshuarve, përkatësisht 80 dhe 84 vjeç, humbi jetën. Pas ngjarjes, Mastora u largua nga banesa e viktimave.
Gjatë hetimeve u zbulua se 72-vjeçari kishte marrë trajtim në spitalin psikiatrik të Vlorës në tri raste.
Mastora është nga Portëza e Fierit dhe ishte martuar në fshatin Bodrishtë në maj të vitit 1989. Pas ndryshimeve politike në vend, ai emigroi drejt Greqisë së bashku me bashkëshorten, ku mori mbiemrin e saj. Gjithashtu, ai kishte ndryshuar edhe emrin, nga Petrit në Thoma.