
Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë një vendim drastik këtë të shtunë, 31 tetor, duke i hequr licencën ALTA Banka-s, institucionit financiar të kontrolluar nga grupi i biznesmenit Davor Macura, emri i të cilit është përmendur vazhdimisht nga opozita serbe për lidhje të dyshuara financiare me rrethin e Aleksandar dhe Andrej Vuçiçit.
Vendimi është konfirmuar zyrtarisht nga Banka Kombëtare e Serbisë (NBS), e cila njoftoi se gjendja financiare e ALTA Banka-s ishte përkeqësuar ndjeshëm, duke rrezikuar interesat e depozituesve.
Sipas njoftimit, institucionit bankar i ishin bërë më parë kontrolle dhe i ishin kërkuar masa për përmirësimin e likuiditetit. Megjithatë, autoritetet konstatuan se ekzistonte rreziku i një përkeqësimi të mëtejshëm financiar.
Pas heqjes së licencës, Agjencia për Sigurimin e Depozitave do të marrë administrimin e procedurave të falimentimit, sipas vendimit përkatës gjyqësor.
Depozitat janë të siguruara deri në 50 mijë euro për depozitues, ndërsa autoritetet kanë njoftuar procedurat për kthimin e shumave të garantuara.
Ndërkohë sot në sportelet e kësaj banke janë parë radhë të gjata njerëzish që kanë shkuar për të tërhequr paratë. Video më poshtë është regjistruar në një prej degëve të bankës në Novisad.