
Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian kanë arritur një marrëveshje paraprake për heqjen e kontrolleve dhe procedurave burokratike për eksportet e produkteve ushqimore dhe bujqësore, të vendosura pas Brexit-it.
Sipas BBC-së, draft-marrëveshja prej 200 faqesh u është dërguar vendeve anëtare të BE-së në Bruksel për shqyrtim, përpara samitit mes dy palëve që pritet të mbahet këtë muaj.
Marrëveshja parashikon lehtësimin e tregtisë për produkte si mishi, sallamet, prodhimet e detit dhe patatet për mbjellje, duke shmangur një pjesë të konsiderueshme të kontrolleve dhe certifikatave që deri më tani kanë rritur kostot për eksportuesit.
Ndër ndryshimet kryesore është heqja e certifikatave shëndetësore të eksportit, të cilat kushtojnë rreth 200 paund, si dhe e certifikatave fitosanitare prej 25 paundësh. Gjithashtu, parashikohet rikthimi i pasaportave për kafshët shtëpiake britanike që udhëtojnë drejt vendeve të BE-së.
Qeveria britanike vlerëson se marrëveshja mund t'i sjellë ekonomisë së vendit përfitime prej 5.1 miliardë paundësh në vit. Në këmbim, Britania do të duhet të përshtatë rregullat e saj me standardet e Bashkimit Europian për tregtinë e produkteve ushqimore, bujqësore dhe blegtorale.
Draft-marrëveshja pritet të diskutohet nga ambasadorët e vendeve të BE-së, ndërsa disa detaje të tjera do të përcaktohen përpara samitit të këtij muaji. Megjithatë, propozimi ka nxitur edhe kritika nga disa përfaqësues politikë britanikë, të cilët kundërshtojnë rikthimin te rregullat europiane, duke e konsideruar këtë një kufizim të sovranitetit tregtar të vendit.