
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur nga GJKKO ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t. Hyseni është pezulluar gjithashtu nga detyra.
Berisha riktheu në vëmendje denoncimet e tij të mëparshme ndaj Hysenit, duke shtuar se ajo kishte ushtruar presion ndaj gjyqtarëve kushtetues në lidhje me çështjen Balluku.
“Vlora Hyseni famëzeza u mor në mënyrë me akte me presione ndaj gjyqtarëve kushtetues në rastin e vendimit Balluku, e denoncova që në atë kohë. Ajo ka patur të dhëna shumë të rëndësishme, qytetarë digjitalë, thoni po bëhet një kombinim i dy shërbimeve Tiranë-Beograd kundër protestuesve të rinj”, deklaroi Berisha.
Ai rikujtoi gjithashtu një denoncim të mëparshëm, ku kishte ngritur pretendime për marrëdhëniet mes Hysenit dhe Ergys Agasit.
“Miqësia e drejtorëshës së SHIK-ut me Agasin është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga kjo platformë. Kemi paralajmëruar se shtrirja e kontrollit dhe influencës së tij mbi Shërbimin Informativ Kombëtar nëpërmjet miqësisë që kishte me Hysenin, e njohur tashmë si agjente e përbashkët e Ramës dhe e Vuçiçit”, kishte deklaruar më herët Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama se, sipas tij, kishte informacion mbi zhvillimet në SHISH, por ai kishte vendosur që institucioni t’i dorëzohej krimit dhe bandave.
“Pra, siç e shihni, Edi Rama, i cili kishte informacione të plota, por që me qëllim i kishte dorëzuar SHISH të krimit, te bandat. Është de facto sot njeriu më i paligjshëm në Shqipëri. Mandati i arrestit për Edi Ramën, është mandati që duhet t’ia presin shqiptarët sa më parë. Kurse për Vlora Hysenin, e cila thuhet se është jashtë vendit, në rast se ajo është në shoqërinë e Edi Ramës, bëj thirrje FBI dhe policisë së SHBA ta arrestojë.
Ky grup i strukturuar kriminal kontrollonte çdo të dhënë që ekzistonte në internet në territorin e Republikës së Shqipërisë, çdo personi, subjekti. Këto i ka dhënë te armiqtë e NATO-s. Kjo aferë është tashmë lehtësisht e hetueshme. Edi Rama është autor i tyre. Ju garantoj se çdo gjë kanë bërë, qoftë Vlora, qoftë Gysi, qoftë Ermali, qoftë Linda, gjithçka kanë bërë me urdhër të Edi Ramës. Të gjitha veprat e rënda kriminale i kanë kryer me urdhër të Edi Ramës”,- tha Berisha.