Rudi Garcia rikthehet në Itali pas shtatë vitesh e gjysmë. Eksperienca te Roma përfundoi në ditët e para të 2016-ës, pas dy sezonesh e gjysmë pozitive, edhe pa tituj. Megjithatë, në atë kohë, ishte e vështirë t'i rrëmbeje trofe kanibalit Juventus të Conte, fillimisht, e më pas Allegri. De Laurentiis e zgjodhi francezin pas një seleksioni pa mbarim. E donte pasi nga të gjithë kandidatët Rudi dukej më i përshtatshmi për të vazhduar eksperiencën spallettiane.
Para së gjithash, menaxhimi i grupit. Me autoritet pa qenë autoritar, si paraardhësi i tij. Di të mbajë marrëdhënie të mira pa u miqësuar me lojtarët, siç kujton në librin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” botuar nga Mondadori. Ajo që pastaj ndoshta e bindi De Laurentiis është fakti se francezi do ta mbajë Napolin besnik ndaj sistemit të lojës dhe koncepteve taktike të Spalletti. Mënyra që ekipi ka aplikuar tani për të menaxhuar hapësirat, kohët dhe lojërat do të mbetet e pandryshuar. Çdo trajner inteligjent, dhe Garcia padyshim që është, do të bënte të njëjtën gjë. Zgjedhja më e keqe do të ishte punësimi i një tekniku fundamentalist. Ai do të rrezikonte të thyente një lodër me mekanizma të përsosur.
PRECEDENTËT OPTIMISTË
Francezi u evidentua me një Lille spektakolare në vitin 2011, ku fitoi Ligue 1 duke ngjitur në piedestal një Eden Hazard të madh. 4-3-3 i tij bazohej në qëndrueshmëri të madhe difensive dhe shpejtësi në përmbysjen e aksionit. Kjo falë përfitimit nga prerjet e anësorëve ofensivë. Te Roma konceptet ishin pak a shumë të ngjashme, me Totti si qendërsulmues për të nisur Iturbe dhe Gervinho në krahë. Debutimi i tij ishte mbresëlënës, me 10 fitore radhazi në kampionat. Rudi Garcia di gjithashtu se si të përshtatet me lojtarët në dispozicion. Në Lyon, për shembull, ai e udhëhoqi ekipin e tij në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve duke eliminuar Juventus dhe Manchester City përpara se të frikësonte kampionët e mëvonshëm të Bayern. Ajo skuadër luante me një 3-5-2 kirurgjikale në kundërsulme.
Me pak fjalë, Napoli do t'i qëndrojë besnik koncepteve të Luciano Spalletti. Mënyra më e mirë për të mbajtur të paprekur forcën e kampionëve të Italisë.