Juventus mposhti 1-0 Udinese në javën e 17 të Serie A, duke rrëmbyer fitoren e tetë radhazi në kampionat pa pësuar gol. Edhe në Allianz Stadium, ligji i bardhezinjve të Allegrit u konkretizua në finale. Pas një ndeshjeje me pak raste shënimi nga të dyja palët. Në pjesën e parë Silvestri i mbylli derën Rugani dhe Kean. Pastaj tre minuta nga fundi, një aksion në aksin Paredes-Chiesa çoi në prekjen fituese të Danilo, për tre pikë që vlejnë vendin e dytë.
Në Allianz Stadium u konsumua përshëndetja e fundit për kapitenin e Kupës së Kampionëve të fundit të Juventus, Gianluca Vialli. Skuadrat me shiritin e zi në krahë dhe një minutë heshtje, qendruan në një arenë me prozhektorët e shuar. Një stadium edhe njëherë i tejmbushur, që dëgjoi në heshtje dhe me vëmendje homazhin e lexuar jo pa vështirësi nga Gianluca Pessotto. Duartrokitjet e fundit ishin zhurmuese, me sytë e shumë tifozëve të përlotur. Mes koreve dhe këngëve, ashtu si kur Luca ishte në fushë.
E megjithatë, ndeshja nisi me një ritëm të ngadaltë dhe pa shumë raste. Minutat kaluan me Juve e Udinese që nuk shkëlqyen në lojë. Skuadrat u munduan të zgjidhin ndeshjen, pa e rritur ritmin. Derisa goli i “zakonshëm” në fund zhbllokoi dhe mbylli ndeshjen njëkohësisht. Në minutën e 87 Paredes katapultoi një top në zonë për Chiesa, të dy të aktivizuar në pjesën e dytë. Sulmuesi shërbeu në qendër menjëherë, aty ku Danilo devijoi në rrjetë golin e fitores. Fitorja e tetë radhazi e bardhezinjve, që tani besojnë se mund të marrin maksimumin nga një kampionat i nisur shumë keq.