Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar sërish naftëtareve të Ballshit që të diskutojnë për zgjidhjen e problemit të tyre duke dalë nga greva e urisë.
Në një status në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se e ka të pamundur të dialgojë me presione dhe ultimatume.
“Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t’ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria”, shkruan Rama.
Ai thotë se po punojnë për të gjetur investitorë seriozë në mënyrë që të fillojë puna në rafineri.
“Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë! Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s’pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin!”, shkruan Rama.