Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e saj personale në “Twitter”, ndaj qendrimit të mbajtur nga zëdhënësi i presidentit të Republikës Ilir Meta, Tedi Blushi, pas deklaratave të kryeministrit Rama për “Radio Europa e Lirë” ku u shpreh se “Demokracia nuk do të negociohet”.
I pyetur nga RTV Ora News, Blushi u shpreh se pajtohej me kreu e qeverisë se demokracia është e panegociueshme, duke thënë shprehimisht: “Shumë dakord me kryeministrin. Zgjedhjet nuk janë të politikanëve, por të popullit. Demokracia dhe pluralizmi politik janë të panegociueshme”.
Ndërsa, nisur nga ky qendrim, Spiropali i drejton kreut të shtetit një pyetje lidhur me përdorimin e dhunës në protesta.
“Ilir Meta qenka dakord që zgjedhjet janë të popullit po paska hallin e pluralizmit! Bukur. Pluralizëm dmth të gjithë në një mendje që populli vendos me zgjedhje dhe secili në mendjen e vet hyn apo s’hyn në zgjedhje! Pyetja që mbetet është: Pse nuk thotë gjë për dhunën Ilir Meta?”, shkruan Spiropali.