Flash

Vrasja në Ksamil/ Zbardhet dinamika e krimit ndaj turistit portugez, 11 të arrestuar dhe një në kërkim

Lapsi.al 19 August 2026

Vrasja në Ksamil/ Zbardhet dinamika e krimit ndaj turistit portugez, 11

Detaje të reja nga hetimi kanë zbardhur më tej dinamikën e vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, si dhe rolin e personave të përfshirë para dhe pas krimit. Hetimet kanë çuar në një seri arrestimesh, ndërsa në dosje janë përfshirë edhe punonjës policie dhe të sistemit të burgjeve, të cilët punonin si truproje në lokalin ku nisi konflikti.

Ngjarja ka nisur rreth orës 05:15 të 18 gushtit 2026, në ambientet e lokalit “Principote” në Ksamil, dhe më pas është zhvendosur në zonën e plazhit të lokalit “Paradise”.

Sipas dinamikës së rindërtuar nga hetuesit, në konflikt me 21-vjeçarin portugez Luis Miguel Varela Mendes janë përfshirë fillimisht Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani, të gjithë kamarierë në “Principote”. Ata dyshohet se e kanë goditur të riun me grushte.

Në konflikt është përfshirë edhe David Heurtevent, 29 vjeç, i cili, sipas Policisë, e ka goditur gjithashtu me grushte turistin portugez.

Më pas, konflikti është përshkallëzuar dhe Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se ka goditur disa herë me thikë në trup Luis Miguel Varela Mendes, duke i shkaktuar plagët që i morën jetën.

Policia akuzon Sokrat Vatën dhe David Heurtevent për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim. Heurtevent është shpallur në kërkim.

Katër personat e sigurisë nuk ndërhynë
Në momentin e konfliktit, në “Principote” ndodheshin si pjesëtarë të sigurisë së lokalit Miosid Matushaj, punonjës i Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër; Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër; Luciano Seferi, punonjës i burgut të Fierit, dhe Kristi Koshi.

Sipas hetimit, të katërt ushtronin funksionin e truprojave në lokal dhe kishin për detyrë të garantonin sigurinë. Ata dyshohet se nuk ndërhynë për të ndalur konfliktin dhe, pas ngjarjes, nuk njoftuan Policinë e Shtetit.

Për Luciano Seferin, Kristi Koshin dhe Romeo Shehun materialet janë referuar për “Moskallëzim të krimit”, ndërsa Miosid Matushaj akuzohet për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Përfshirja e punonjësve të institucioneve shtetërore në sigurimin privat të lokalit dhe mosndërhyrja e tyre gjatë konfliktit përbëjnë tashmë një nga pjesët kryesore të hetimit.

Sokrat Vata tentoi të largohej drejt Tiranës

Pas vrasjes, personat e përfshirë u larguan nga vendngjarja. Policia nisi kërkimet dhe shoqëroi në Komisariatin e Sarandës 41 persona për sqarimin e rrethanave.

Sokrat Vata u kap më pas në Levan, i fshehur në bagazhin e një automjeti. Makina drejtohej nga shtetasja turke Ezgi Perlak, 31 vjeçe, ndërsa pasagjer ishte shtetasi turk Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç.

Sipas Policisë, dy shtetasit turq njiheshin me të dyshuarin dhe po e transportonin drejt Tiranës, me synimin për ta ndihmuar t'i shpëtonte ndjekjes policore. Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak akuzohen për “Përkrahje të autorit të krimit”.

Arrestimet dhe personi në kërkim

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestuan Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29 vjeç; Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç; Ezgi Perlak, 31 vjeçe; Serxhi Selimi, 24 vjeç; Ervis Bunci, 24 vjeç; Ildi Cekani, 21 vjeç; Murat Zhabina, 27 vjeç; Miosid Matushaj, 24 vjeç; Luciano Seferi, 44 vjeç; Romeo Shehu, 35 vjeç, dhe Kristi Koshi, 29 vjeç.

Ndërkohë, David Heurtevent, 29 vjeç, banues në Tiranë, është shpallur në kërkim.

Policia e Vlorës bëri të ditur se materialet i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për Sokrat Vatën dhe David Heurtevent për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak për “Përkrahje të autorit të krimit”; për Serxhi Selimin, Ervis Buncin, Murat Zhabinën, Ildi Cekanin, Luciano Seferin, Kristi Koshin dhe Romeo Shehun për “Moskallëzim të krimit”; ndërsa Miosid Matushaj akuzohet për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Të këshilluara

ide

Pse Rama nuk tërhiqet dot nga Zvërneci

Ndonëse kryeministri e la të hapur fatin e investimit të cilin e etiketoi si testin e parë të platformës Besa, ai nuk është i lirë ta bëjë këtë. Edi Rama e di shumë mirë, se nëse i thotë jo Kushnerit të cilin e yshti të hidhte në Zvërnec paratë e katarianëve, pasoja do të jetë shumë më e madhe se indiferanca përbuzëse që Trump demostroi ndaj atleteve të tij të bardha në samitin e NATO-s.

12:29 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

92.59

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI