
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar një hartë që e përcakton Ngushticën e Hormuzit si një “territor të ri të SHBA-së”. Udhëheqësi amerikan e postoi imazhin më 18 gusht në rrjetin e tij social Truth Social. Harta e publikuar vë në pah korridorin detar strategjikisht të rëndësishëm midis Iranit dhe Omanit me mbishkrimin “Territori i Ri i SHBA-së”.
Vetë Trump nuk sqaroi në postim nëse imazhi përfaqëson një pretendim zyrtar territorial nga Uashingtoni apo një demonstrim politik mes ngërçit të vazhdueshëm me Iranin. Trump e bëri postimin, disa ditë pasi deklaroi publikisht qëllimin e tij për të shpallur Ngushticën e Hormuzit si territor të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë një fjalimi më 14 gusht në Nju Jork, presidenti amerikan tha se pas një “fitoreje ndaj Iranit” ai mund ta shpallte ngushticën territor të SHBA-së. Më vonë, një përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë, duke komentuar këto deklarata për mediat amerikane, tha se presidenti po bënte shaka. Megjithatë, ditën e djeshme Trump e rikthu sërish këtë temë në qendër të vëmendjes, këtë herë duke publikuar një hartë që e përcaktonte drejtpërdrejt ngushticën si territor të ri amerikan.
Ngushtica e Hormuzit jetike për tregun e naftës
Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe është një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë botërore të naftës dhe gazit. Në kushte normale, një pjesë e konsiderueshme e dërgesave të naftës me transport detar kalon nëpër të. Në muajt e fundit, ngushtica është bërë një nga elementët qendrorë të përplasjes SHBA-Iran.
Trump ka deklaruar më parë në mënyrë të përsëritur se Uashingtoni kontrollon transportin detar në zonë dhe në korrik e quajti SHBA-në "rojtare" të Ngushticës së Hormuzit.
Në të njëjtën kohë, situata aktuale e transportit detar mbetet e tensionuar: lëvizja e anijeve tregtare përmes ngushticës është ulur ndjeshëm për shkak të rreziqeve ushtarake. Po ashtu, Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk po negociojnë aktualisht me Iranin dhe nuk janë planifikuar bisedime të reja.