
Banorët e Patosit janë ngritur paraditen e sotme për të dytën herë në protestë për të kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale ku parashikohet shkrirja e bashkisë Patos me atë të Fierit.
Me pankarta në duar dhe disa fjalime, ata kanë kërkuar njëzëri që kryeministri Rama të rishikojë këtë propozim pasi Patosi është qytet me identitet dhe histori, teksa kanë theksuar se dhe performanca e bashkisë renditet ndër më të mirat në vend. Nje banor shprehet “Unë jam naftëtar i vjetër. E kemi bërë me kontribut vullnetar këtë Patos. Spitali, ambulanca, shkolla janë bërë me kontribut vullnetar. Kemi punuar 8 orë në naftë dhe ktheheshim këtu.” “I bëjmë thirrje Ramës të bisedojë me naftëtarët, të marrë mendimin e tyre. Është krim të shkrihet bashkia e Patosit. I themi jo reformës së bërë nga Partia Socialiste”, thanë disa prej banorëve.
Ata kanë argumentuar se nëse Patosi i bashkohet Fierit do të humbasin të gjitha shërbimet duke ua vështirësuar jetën e përditshme ndërsa kanë theksuar se ekziston edhe rreziku i shkrirjes së shumë institucioneve. “Nëse mbyllet bashkia, shkurtimi i fuqisë punëtore do të bëhet me 50%. Sa më e vogël të jetë bashkia, aq më organizim e kërkesë llogarie ka. Kontrollon çdo gjë.” “Sa më afër bashkia e komuna, aq më të zgjidhshme janë problemet. Neve nuk na mposhtin. “Bashkia e Patosit është ndër më të mirat, ku çdo gjë gjelbëron e lulëzon”, thanë qytetarët. Protestuesit kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave teksa kanë shprehur vendosmërinë për ta kundërshtuar deri në fund këtë propozim të Partisë Socialiste.