Flash

U vra nga mafia shqiptare/ Nëna e parukierit italian: Im bir s'kishte lidhje me ta

Lapsi.al 27 May 2026

Nga "La Repubblica"/ “Ejani të gjithë në shtëpi... kësaj radhe nuk shpëton askush”. Ishte një larje hesapesh e paramenduar ajo që grupi i trafikut të drogës, i udhëhequr nga shqiptari 40-vjeçar Igli Kamberi, organizoi kundër Francesco Diviesti, parukierit 26-vjeçar nga Barletta, i zhdukur më 25 prill 2025 dhe i gjetur i vdekur 4 ditë më vonë. Diviesti kishte lidhje me atë grup përmes një miku që e kishte futur në botën e shpërndarjeve të vogla të drogës.

Ai kishte një rreth njohjesh që nuk më pëlqente”, tha nëna e tij, Maria Marzocca. “Kemi debatuar për këtë.” 

Dhe pasi djali i saj u vra, ajo shkoi dhe u tregoi hetuesve: “Kishim frikë, sepse këta janë njerëz të rrezikshëm, por nuk mund të ndalesha, ma kanë shqyer lëkurën dhe zemrën.”

Pak persona ndihmuan, shumë të tjerë heshtën, si Sabino Corvasce dhe Sofia Cafagna, të cilët përfunduan njëri në burg dhe tjetra në arrest shtëpie për favorizim.

Sipas prokurorëve, autorët e vrasjes janë Igli Kamberi, Nicola Di Benedetto dhe Antonio Lanotte, të cilët e morën me forcë Diviestin nga Barletta dhe e çuan në një gurore mes Minervino dhe Canosa, ku e vranë me 5 plumba të qëlluar nga dy armë. Më pas trupi u dogj.

“Si fyerje ndaj kujtimit të tij”, theksoi koordinatori i DDA-së Giuseppe Gatti, “dhe si paralajmërim për komunitetin.”

Krimi lindi nga një borxh prej 500 eurosh për një sasi droge që Diviesti kishte marrë nga grupi dhe më pas kishte menduar ta shlyente duke i ofruar Kamberit një makinë me qira. Pas kthimit të automjetit, 26-vjeçari kishte ende 300 euro pa paguar. Por ai kishte kundërshtuar kilometrazhin e bërë me makinën dhe kishte shpjeguar se nuk do të jepte para të tjera.

Shqiptari e mori këtë si një fyerje të pafalshme. Ai e kishte ndjekur Diviestin në një plazh dhe i kishte mbajtur kokën nën ujë për t’i dhënë “një mësim”. Më pas, gjatë përgjimeve ai komentonte: “Po e mbytja.”

Dhe shtonte: “Çfarë kontrate? Kjo është çështje familjeje”, duke nënkuptuar se Diviesti nuk mund të vinte në diskutim autoritetin e një “shefi” si ai për kilometra të bërë me një makinë me qira.

Për këtë arsye u vendos vdekja e tij, e konsideruar e paramenduar nga gjyqtari Giuseppe De Salvatore dhe e kryer me metoda mafioze.

I riu u detyrua të gjunjëzohej dhe, pas plumbave të parë, mori goditje edhe në fytyrë. Mizoria e ekzekutimit duhej të shërbente si paralajmërim për të tjerët, përfshirë mikun e Diviestit, i cili ishte rrahur brutalisht në një lokal dhe që duhej të vdiste bashkë me të. Sipas hetimeve të DIA-s dhe policisë së Andria-s, ai shpëtoi vetëm sepse më 25 prill u arrestua për armëmbajtje.

Konteksti i rindërtuar nga hetuesit ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ndoshta as vetë parukieri nuk e kishte kuptuar përmasën e tij.

“Kemi dëgjuar për mafien shqiptare, për trafikun e drogës, por ç’lidhje kishte djali im me këto ambiente?”, tha nëna e viktimës.

Ai ndoshta nuk e dinte vërtet me kë kishte të bënte. As që mafia shqiptare ishte zhvendosur në Pulia me gjithë egërsinë që buron nga kodet e lashta të nderit dhe dhunës, në deformimin kriminal të Kanunit.

Kamberi në Barletta kishte ngritur një grup të qëndrueshëm dhe dominues në trafikun e drogës, fitimet milionëshe të të cilit dërgoheshin më pas në Shqipëri për t’u pastruar. Në dy operacione të DIA-s u sekuestruan 680 mijë dhe 400 mijë euro.

Përveç pesë arrestimeve në Barletta, u ekzekutuan edhe dhjetë masa sigurie në Shqipëri, në kuadër të një hetimi tjetër të koordinuar nga Prokuroria Speciale e Tiranës, me të cilën DDA e Barit vazhdon të bashkëpunojë, me nxitjen e prokurorit Roberto Rossi. /LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI