Flash

The Guardian: Protestat në Shqipëri kundër resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner po shtohen!

Lapsi.al 4 June 2026

Protestat në Shqipëri kundër një resorti luksoz të propozuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, pritet të intensifikohen pasi kundërshtarët e projektit refuzuan ofertën e kryeministrit Edi Rama për të “diskutuar zgjidhje”.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Tiranës për të tretën ditë radhazi të mërkurën, ndërsa disa prej tyre mbanin flamingo të fryra, si simbol i dëmit mjedisor që, sipas tyre, rrezikon të shkaktojë projekti. Thirrjet për bllokimin e investimit po shtohen.

Protesta janë planifikuar edhe në jug të vendit, ku së fundmi kanë nisur punimet paraprake për kompleksin me vlerë 1.6 miliardë dollarë në një zonë që prej kohësh konsiderohet si një nga territoret më të ndjeshme mjedisore të Mesdheut.

“Nga fillimi deri në fund ka pasur mungesë totale transparence”, tha Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore PPNEA. “Nuk kemi parë asnjë konsultim publik dhe asnjë dokument publik lidhur me lejet. Ajo që po themi tani është se, nëse hiqen buldozerët, hiqet gardhi dhe habitatet rikthehen në gjendjen e mëparshme, atëherë mund të fillojmë të flasim.”

Kryeministri Edi Rama, i cili e ka mbrojtur projektin si një pikë kthese në rrugëtimin e Shqipërisë nga një shtet stalinist drejt një destinacioni turistik elitar, propozoi të martën një takim me protestuesit në përpjekje për të zbutur përplasjen. Por ai mbajti të njëjtin qëndrim për projektin, duke deklaruar: “Nuk ka absolutisht asnjë mundësi që investimi të ndalet sa të jem unë këtu.”

Si organizata më e vjetër mjedisore në Shqipëri, PPNEA ngriti alarmin kur dolën paralajmërimet se një rajon me biodiversitet unik dhe trashëgimi kulturore të rëndësishme rrezikonte të shkatërrohej.

Më herët gjatë këtij viti, Ivanka Trump vizitoi Shqipërinë së bashku me një grup arkitektësh, duke inspektuar zonën që është parashikuar për zhvillim nga kompania investuese e bashkëshortit të saj, Affinity Partners.

Resorti parashikohet të shtrihet në një sipërfaqe që përfshin jo vetëm ishullin e pabanuar të Sazanit, ishullin e vetëm të Shqipërisë, por edhe laguna dhe habitate bregdetare brenda Parkut Kombëtar Detar që e rrethon atë.

Sipas BirdLife International, ujërat e kësaj zone janë ndër strehat e fundit të fokës mesdhetare, ndërsa territori është habitat për më shumë se 200 lloje shpendësh, shumë prej tyre të rrezikuar, përfshirë flamingot dhe pelikani kaçurrel.

Zhvillimi parashikohet gjithashtu në zona të mbrojtura bregdetare në veri të fshatit Zvërnec, mes lagunës së Nartës dhe detit.

“Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë në zonat e mbrojtura të Shqipërisë”, tha Trajçe. “Jo vetëm që është e paprecedentë, por kemi të bëjmë me një shembje të plotë të shtetit ligjor. Nuk ka konsideratë për shoqërinë, nuk ka konsideratë mjedisore, nuk ka kontrata apo leje të bëra publike, vetëm buldozerë që futen brenda.”

Sipas tij, shqetësimi publik u kthye në zemërim kur punëtorët nisën ngritjen e një gardhi me bazë betoni dhe tela me gjemba pranë Zvërnecit, vendosën një kompani private sigurie dhe makineritë e rënda filluan të shkatërrojnë dunat e lashta ranore dhe pyjet me pisha mesdhetare për të hapur rrugë hyrëse.

“Në atë moment banorët u zemëruan vërtet”, tha ai. “Njerëzit që kanë tokë atje ose punojnë në ato toka, papritur nuk mund të hynin më. Kjo ka shkuar përtej një çështjeje mjedisore. Është kthyer në një çështje qytetare. Është shumë më e madhe se kaq.”

Këtë javë, SPAK njoftoi se ka nisur hetime mbi ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2024 për zonat e mbrojtura, ndryshime që kanë shkaktuar polemika.

Zhvilluesit e projektit thonë se do të veprojnë me përgjegjësi.

“Fokusi ynë mbetet administrimi i përgjegjshëm i territorit, përmirësimi i mjedisit, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale. Ne respektojmë proceset publike dhe institucionale që janë në zhvillim”, deklaroi Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC, kompania që po zhvillon projektin në partneritet me Affinity Partners.

Edhe Rama, i cili fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar me premtimin për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 dhe që synon të tërheqë investime në një nga vendet më të varfra të Europës, mohon se projekti do të dëmtojë vijën bregdetare të paprekur të vendit.

Më 1 qershor ai deklaroi në parlament se negociatat janë ende në zhvillim dhe se propozimi përfundimtar nuk është miratuar ende. Ndërsa në një deklaratë të mërkurën tha se është “shumë e rëndësishme që të mbetemi mikpritës, të mbetemi të drejtë dhe në asnjë rrethanë të mos marrim damkën e një vendi ku investitorët përballen me armiqësi”.

Në një intervistë për Guardian para se projekti të merrte miratimin fillestar, Rama tha se interesi i Kushner për Shqipërinë kishte nisur vite më parë.

“Nuk kishte lidhje me Trump-in, por me Jared-in si investitor amerikan me një projekt të madh”, tha ai, duke shtuar se interesi kishte lindur në një kohë kur “Trump nuk ishte pranë presidencës, por më afër burgut sesa Shtëpisë së Bardhë”.

E izoluar për afro 50 vjet gjatë regjimit komunist, Shqipëria është kthyer vitet e fundit në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turistët, falë bukurisë natyrore dhe kostove relativisht të ulëta.

Për mbështetësit e projektit, përpjekja e Ramës për të tërhequr investitorë të nivelit të lartë është e domosdoshme nëse vendi dëshiron të shmangë problemet e turizmit masiv. Por për kundërshtarët, debati rreth resortit ka ushqyer pakënaqësinë në rritje ndaj qeverisë.

“Zemërimi nuk drejtohet aq shumë ndaj Kushner-it apo Ivanka Trump, sa ndaj qeverisë dhe mënyrës se si ajo e ka trajtuar këtë proces”, tha Trajçe.

Affinity Partners është kontaktuar për koment, por nuk ka dhënë përgjigje./The Guardian, përshtati Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI