
Sokol Sanxhaktari është liruar nga burgu i sigurisë së lartë në Reç të Shkodrës, pasi përfitoi nga amnistia penale e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Lirimi i tij erdhi pas disa përpjekjeve ligjore të ndërmarra gjatë muajve të fundit për të reduktuar ose zëvendësuar pjesën e mbetur të dënimit.
Mëngjesin e 15 korrikut, Sanxhaktari u largua nga institucioni i vuajtjes së dënimit nën masa të forta sigurie, duke rifituar lirinë pas disa vitesh burgim për vrasjen e Florian Lamçes.
Ai ishte përfshirë në listën e personave që përfitonin nga amnistia, konkretisht mes të dënuarve që kishin më pak se tre vite burg të mbetura për të vuajtur. Ligji për amnistinë përjashton një kategori veprash penale të rënda, si ato që lidhen me krimin e organizuar, terrorizmin, korrupsionin dhe çështjet që trajtohen nga GJKKO, si edhe personat e dënuar me burgim të përjetshëm apo ata që janë shmangur drejtësisë.
Sipas vlerësimit të bërë nga autoritetet e burgjeve, Sanxhaktari plotësonte kushtet e parashikuara në ligj për të përfituar lirimin.
Përpara se të hynte në fuqi amnistia, ai kishte ndjekur disa rrugë ligjore për të ndryshuar mënyrën e vuajtjes së dënimit. Në fund të muajit nëntor 2025, iu drejtua Gjykatës së Shkodrës me kërkesën për zëvendësimin e burgimit me masën alternative “qëndrim në shtëpi”.
Në kërkesën e paraqitur në gjykatë argumentohej se ai kishte kryer më shumë se tre të katërtat e dënimit të dhënë ndaj tij dhe se përmbushte kriteret ligjore për ta vijuar pjesën e mbetur të dënimit në banesë. Çështja po shqyrtohej nga gjyqtari Eni Naqellari dhe lidhej me dënimin e dhënë fillimisht nga Gjykata e Elbasanit në vitin 2022, i cili më pas ishte ndryshuar nga Gjykata e Apelit.
Pak muaj më herët, në mars 2025, Gjykata e Shkodrës kishte pranuar një tjetër kërkesë të Sanxhaktarit, duke i ulur dënimin me 90 ditë. Ndërkohë, një kërkesë për lirim me kusht ishte refuzuar.
Procesi për “qëndrim në shtëpi” mbeti pa objekt pas hyrjes në fuqi të amnistisë penale, e cila solli lirimin e tij të plotë.
Sanxhaktari ishte dënuar me 15 vite burg për vrasjen e Florian Lamçes, ngjarje që ndodhi pas një konflikti mes tyre gjatë konsumimit të alkoolit. Sipas hetimeve, ai dhe Adriano Hajdari e goditën Lamçen me shishe dhe sende të forta, duke i shkaktuar plagë që rezultuan fatale.
Florian Lamçe, i njohur edhe me nofkat “Flor Qorri” dhe “Shkodrani”, kishte pasur më herët përballje me drejtësinë, ku ishte dënuar për pengim të drejtësisë dhe ishte hetuar për plagosje. Ai ishte gjithashtu vëllai i Olti Lamçes, i cili është dënuar me 24 vite burg për vrasjen e biznesmenit Almir Cani në vitin 2012.
Historia e përballjeve të Sokol Sanxhaktarit me drejtësinë është më e hershme se dënimi për vrasje. Në vitin 2008 ai u dënua me gjobë për kundërshtim të forcave të rendit, ndërsa në vitin 2010 mori një dënim me tre vite burg për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.
Një vit më pas, emri i tij u përfshi në një hetim për plagosjen e Miklajd Llatjas dhe Erion Kardhoshit në Elbasan. Më vonë, dy të rinjtë tërhoqën deklarimet ndaj tij dhe procedimi penal për plagosjen u pushua.
Një nga episodet më të bujshme lidhet me tentativën e policisë për arrestimin e tij në mars të vitit 2011. Operacioni u zhvillua pranë lokalit “Shtëpia e Artit Sejko” në Elbasan, ku Sanxhaktari ndodhej së bashku me Marjus Lulajn, i njohur si Suel Çela, dhe Anri Kurtin.
Sipas materialeve hetimore, tentativa për shoqërimin e tij degjeneroi në përplasje fizike mes policëve dhe personave që e shoqëronin, duke i krijuar mundësinë Sanxhaktarit të largohej nga vendngjarja. Ai qëndroi në arrati për rreth gjashtë muaj.
Kur çështja u shqyrtua nga gjykata, akuzat për kundërshtim të punonjësve të policisë nuk u pranuan. Vendimi argumentonte se efektivët nuk mbanin uniformën zyrtare të Policisë së Shtetit dhe se personi i arrestuar nuk kishte pasur mundësi të identifikonte me siguri statusin e tyre. Gjithashtu, rezultoi se një prej veshjeve me mbishkrimin “Policia” ishte blerë privatisht nga një efektiv dhe nuk përbënte pajisje zyrtare.
Në përfundim, Sanxhaktari u dënua vetëm me gjashtë muaj burg për armëmbajtje pa leje, dënim që u konsiderua i vuajtur për shkak të kohës që kishte kaluar në arrati.
Përtej dosjeve penale, emri i tij është bërë shpesh pjesë e debatit publik edhe për shkak të lidhjes familjare me ish-kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini, pasi është dhëndri i tij. Kjo lidhje ka bërë që rastet gjyqësore ku ai është përfshirë të kenë tërhequr vazhdimisht vëmendjen e opinionit publik.