Flash

Rritja e çmimeve nuk e ndikon konsumin, importet e karburanteve arritën rekord historik në korrik

Ndonëse çmimet e karburantit në vend shënuan sërish rritje në muajin korrik, në linjë me tendencën globale, kjo nuk duket që të ketë ndikuar në konsumin e naftës dhe benzinës në vend, ndryshe nga muajt e kaluar kur u konstatuar një stepje. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave bënë të ditur se në […]

Lapsi.al 2 September 2026

Ndonëse çmimet e karburantit në vend shënuan sërish rritje në muajin korrik, në linjë me tendencën globale, kjo nuk duket që të ketë ndikuar në konsumin e naftës dhe benzinës në vend, ndryshe nga muajt e kaluar kur u konstatuar një stepje.

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave bënë të ditur se në korrik, importet e karburanteve arritën në gati 76 mijë ton, me rritje prej 6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është rekordi historik i importeve jo vetëm për korrikun, por i të gjithë muajve, të paktën që nga viti 2000, kur Ministria e Financave raporton të dhënat.

Më herët, rekordi ishte në gusht 2024, kur importet e karburanteve arritën në 74.3 mijë ton (shiko grafikun: Importet e karburanteve, korrik dhe gusht, 2000-2026).

Korriku dhe gushti shënojnë historikisht konsumin më të lartë të karburanteve për shkak të shtimit të lëvizjeve nga sezoni veror. Vitet e fundit ka ndikuar dhe ardhja e turistëve, që përdorin makina me qira. Në korrik të këtij viti trafiku ka qenë mjaft i rënduar në jug të vendit, zonën e Durrësit dhe në Elbasan drejt Pogradecit e Korçës.

Për 7 mujorin, importet e karburanteve arritën në rreth 410 mijë ton, me një rënie prej 2% me bazë vjetore, e ndikuar nga stepja e konsumit në prill dhe maj, kur nisi dhe rritja e çmimeve (shiko grafikun: Importet e karburanteve sipas muajve).

Të dhënat e gushtit 2026 nuk janë publikuar ende, por aktorët e tregut pohojnë se konsumi ka vijuar i lartë, pavarësisht rritjes së fortë të çmimeve në gjysmën e dytë të muajit. Konsumatorët vijojnë të furnizohen nga halli, thonë ata, ndonëse një pjesë e tyre shfrytëzojnë rastin që të mbushin makinat jashtë vendit. Nëse furnizimi do të bëhej brenda vendit konsumi do të ishte shumë më i lartë, thonë ata.

Në korrik, çmimi mesatar i naftës ka qenë 195 lekë, me javën e parë që ishte 182 lekë, për tu rritur më pas në 188 lekë dhe në gjysmën e dytë kapërceu nga 198 lekë në 206 lekë për litër.

Në gusht, çmimi ka qenë mbi 210 lekë për të gjithë periudhën, duke u shtrenjtuar në 219 lekë dy javët e fundit.

Shqipëria ka naftën 30% më të shtrenjtë se rajoni, për shkak të ngarkesës fiskale. Nëse për të gjitha vendet e rajonit zbatohet një strukturë e thjeshtë për llogaritjen e çmimit të naftës (çmimi bazë + akcizë dhe mbi këtë shumë llogaritet TVSH-ja), në Shqipëri përveç akcizës 0.37 euro për litër dhe TVSh-së 20%, mbi çmimin e naftës aplikohet edhe dy taksa të tjera shtesë.

Taksa e qarkullimit (27 lekë për litër) dhe taksa e karbonit (3 lekë për litër). Kjo bën që struktura fiskale në Shqipëri të jetë dukshëm më e rënduar, duke përbërë rreth 50% të çmimit apo 100 lekë për litër. Më e fituara nga kjo situatë deri tani ka dalë qeveria, që ka arkëtuar më shumë TVSH si rrjedhojë e çmimeve më të shtrenjta, ndërsa ka shpenzuar vetëm 37 milionë lekë, kur çmimi ka qenë disa ditë mbi 220 lekë në prill, nivel mbi të cilin aktivizohet ulja me 20% e akcizës./ Monitor 

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57
Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI