Flash

Qeveria dhuron trojet e postave të policisë në Dhërmi dhe Palasë

Pesë vjet pas një investimi prej 1.1 milionë eurosh me para publike për ndërtimin e një poste policie dhe qendre shëndetësore në kufi me resortin Green Coast në Palasë, Korporata e Investimeve planifikon që ta japë truallin për hotele në këmbim të një qendre të re shërbimesh më lart në kodër.

13:54

Qeveria dhuron trojet e postave të policisë në Dhërmi dhe Palasë

Pesë vjet pas një investimi prej 1.1 milionë eurosh me para publike për ndërtimin e një poste policie dhe qendre shëndetësore në kufi me resortin Green Coast në Palasë, Korporata e Investimeve planifikon që ta japë truallin për hotele në këmbim të një qendre të re shërbimesh më lart në kodër.

Lapsi.al 17 July 2026
posta palase
Posta e Policisë dhe qendra shëndetësore u ndërtuan rreth 5 vjet më parë në Palasë me një fond prej 1.1 milionë eurosh. Foto: Google maps.

Pesë vjet më parë, qeveria shqiptare shpenzoi 112 milionë lekë përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e një poste policie, një urgjence mjekësore dhe shërbime të tjera mbështetëse pranë resortit luksoz “Green Coast” – e pagëzuar si “Qendra e shërbimeve të integruara Palasë”.

Si pjesë e investimit publik u ndërtua edhe një helipad brenda Përroit të Palasës, një monument i mbrojtur i natyrës, pavarësisht kundërshtimit të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.

Pa kaluar ende pesë vjet nga investimi, Korporata e Investimeve Shqiptare po kërkon partnerë privatë për të ndërtuar hotele mbi truallin e Qendrës së Shërbimeve të Integruara në Palasë si dhe mbi tokën ku ndodhet posta e Policisë Kufitare disa kilometra më në jug.

Në këmbim, Korporata planifikon që investitorët privatë të ndërtojnë godina të reja për postën e policisë dhe shërbimet e urgjencës mjekësore më lart në kodrën e Palasës.

Sipas dokumenteve publike, godinat e ndërtuara në vitin 2021 “nuk mjaftojnë më” dhe përmes një gare publike të hapur në 16 korrik 2026, Korporata po kërkon që t’i ndërtojë ato për së dyti.

Por pagesa këtë herë nuk planifikohet të bëhet me para të buxhetit të shtetit, por me 4 mijë metra katrorë tokë publike në vijën e parë të bregdetit të Palasës dhe Dhërmiut.

Elira Kokona, drejtuese e Korporatës Shqiptare të Investimeve, e shpjegoi mbivendosjen e projektit me investimin e kryer vetëm pesë vjet më parë me nevojën për zgjerimin e hapësirave për shërbimet publike. Ajo theksoi se projekti i parë do të jetë një masterplan, ndërsa shtoi se “nuk duhet të ngelemi peng i asaj që është bërë më herët”.

“Është diçka që nuk po bëhet sot për nesër. Po merr parasysh zhvillimin e zonës edhe për një 10 vjeçar tjetër,” tha Kokona në një bisedë telefonike me BIRN.

Për ekspertët e planifikimit urban, strukturat publike duhet të kenë një jetëgjatësi prej disa dekadash dhe zhbërja e investimit brenda pesë vitesh shkakton një barrë të dyfishtë mbi taksapaguesit.

“Ose kjo është bërë gabim që në fillim dhe nuk është planifikuar në atë kohë për 20 vitet e ardhshme, ose kemi një gabim në planin e dytë (për të cilin shpallet gara). Njëri nga të dy është gabim,” i tha BIRN urbanistja Doriana Musai.

Gara për masterplan

Korporata e Investimeve Shqiptare, KISH, është një mekanizëm kontrovers shtetëror i ngritur në teori për të mobilizuar kapitalin privat në projekte me interes publik, duke shërbyer si ndërmjetës mes burimeve publike dhe zhvillimeve të mëdha infrastrukturore.

Por KISH është kritikuar gjithashtu si një mekanizëm i qeverisë për të ndarë me bizneset private pasuritë e fundit publike me vlerë.

Gara e hapur më 16 korrik nga KISH vjen në një kohë kur mijëra qytetarë shqiptarë protestojnë prej 46 ditësh, mes të tjerash, edhe kundër planeve për betonizimin e bregdetit në jug të vendit. Palasa buzë plazhit të kristaltë të detit Jon përfaqëson një nga shembujt më tipikë të transformimit nga betoni.

Korporata e Investimeve Shqiptare kërkon përmes garës së hapur investitorë privatë të gatshëm për të marrë përsipër pagesën e shpenzimeve të konkursit ndërkombëtar të përzgjedhjes së masterplanit dhe tre projekt-ideve arkitekturore.

Ajo është strukturuar në dy faza; ku në fazën e parë kualifikohen kandidatët më të mirë bazuar në masterplanin dhe projekt-idetë arkitekturore, ndërsa në fazën e dytë vlerësohen propozimet teknike dhe ofertat financiare.  Faza e parë mbyllet deri në datën 10 shtator 2026 dhe parashikon të ketë pesë finalistë.

Ndërsa mes pesë vendeve të para do të zgjidhet një fitues, që sipas dokumentit do të dalë nga kombinimi i cilësisë arkitekturore dhe leverdishmërisë financiare për Korporatën.

Për të legjitimuar kalimin e pronave publike që ndodhen në vijën e parë të bregdetit, Korporata e Investimeve Shqiptare ka hapur një garë të re të ndërtuar mbi atë që quhet instrumenti ligjor i sipërmarrjes.

Skema është në dukje e thjeshtë. Një kompani private merr përsipër të financojë dhe ndërtojë Qendrën e Shërbimeve Publike Palasë, e përcaktuar si Zona 1 e projektit, pak kilometra nga dalja e tunelit të Llogarasë. Sipërfaqja publike që vihet në dispozicion të projektit është 35 mijë metra pyll në të majtë të rrugës nacionale.

Në këmbim të kësaj pune, partneri privat merr të drejtën të zhvillojë hotele luksi dhe struktura akomoduese në dy zona të tjera, të cilat janë prona të shtetit të kaluara në pronësi të Korporatës përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave në maj të këtij viti.

Sipas dokumenteve të bëra publike, bëhet fjalë për një pasuri shtetërore me një sipërfaqe prej 2,555 metra katrorë ngjitur me resortin Green Coast dhe Përroin e Palasës si dhe një sipërfaqe e dytë prej 1,500 metrash katrorë buzë detit në Dhërmi, aty ku ndodhet Pika Kufitare ekzistuese. Në total, privati merr akses në mbi 4,055 metra katrorë tokë publike në një nga zonat me vlerën më të lartë të tregut imobiliar në Shqipëri, ku sipas planit do të lejohet të ndërtojë hotele.

Si kusht, ofertuesi privat duhet t’i japë Korporatës jo më pak se 35 për qind të sipërfaqes së ndërtimit.

Dokumentet e garës e justifikojnë ngritjen e një qendre të re për shërbime publike me rritjen e fluksit turistik.

“Përfituesit kryesorë janë banorët e zonës dhe vizitorët, të cilët do të përfitojnë nga prania më e afërt dhe më e organizuar e strukturave publike, si dhe nga një mjedis më i sigurt dhe më funksional gjatë gjithë vitit, veçanërisht në periudhat me fluks të lartë turistik,” thuhet në dokumentin e garës.

Një tjetër përfitim, sipas dokumenteve është mundësia për sektorin privat që të zhvillojë aktivitetin e hotelerisë dhe shërbimeve të lidhura me to.

Korporata parashikon 900 metra katrorë për stacionin policor dhe atë kufitar, 170 metra katrorë për shërbimin e zjarrfikëses dhe 217 metra katrorë për qendrën shëndetësore. Përveç këtyre, planifikohen edhe ambiente pune dhe akomodimi për Gardën e Republikës me sipërfaqe prej 730 metra katrorë.

Arsyeja për vendosjen e Gardës së Republikës, e cila ka për mision garantimin e sigurisë së personaliteteve shtetërore dhe objekteve të rëndësisë, në këtë zonë është e paqartë.

Kokona e mbrojti projektin si “një domosdoshmëri strategjike”, ndërsa shtoi se posta aktuale e policisë nuk ka vend të mjaftueshëm për të parkuar makinat që sekuestrohen apo bllokohen në zonë. E pyetur për neglizhimin e shpenzimeve publike të bëra tashmë në zonë, Kokona  këmbënguli se bëhej fjalë për një planifikim afatgjatë.

“Projekti i parë do jetë një masterplan dhe mund të dalë që nuk ka nevojë për hapësira të reja për policinë,” tha ajo.

Urbanistja Musai thotë se këto plane nuk i duken të justifikuara dhe se i vetmi shpjegim për qendra të reja shërbimesh do të lidhej me rritjen e paplanifikuar të popullsisë përtej kapaciteteve.

“Zhvillimi i territorit nuk ka pësuar ndonjë transformim të qenësishëm në 5 vitet e fundit, është zhvilluar gradualisht sepse investimet dhe lejet aty janë dhënë kohë më parë”, tha Musai.

“Rreziku është se edhe kjo mund të dalë prapë jashtë loje në një kohë të shkurtër,” përfundoi ajo./Reporter.al

Të këshilluara

ide

Flamingot duhet t'i injorojnë hijet e së djeshmes

Strategjia e një pjese të madhe të mbrojtësve oligarko-mediatikë të autokratit është të bëjnë kamikazin duke thithur mbi vete debate shterpë që largojnë vëmendjen nga thirrja: “Rama jeeeepe dorëheqjeeeeeen”

08:25 Andi Bushati

Protesta që e mplaku qeverisjen Rama

Kjo protestë ka nxjerrë në pah se qeverisja dhe kryeministri aktual janë vjetërsira politike që transformojnë demokracinë në sundim. Është i njëjti model i vjetër politik që privatizon pushtetin publik për interesa personale, që i reduktion partitë politike, parlamentin dhe ekzekutivin në zgjatime të vullnetit të liderit

10:41 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

93.58

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Euro kap një minimum të ri

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun po e thellon tendencën graduale në rënie. Sipas kursit të këmbimit të Bankës s&...

15:09

Me sytë katër

PAPARAZZI