
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas rënies së kursit të euros në raport me lekun, duke e cilësuar situatën si një “këmbanë alarmi” për ekonominë shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se euro ka arritur minimumin e saj historik, por sipas saj kjo nuk është shenjë e forcimit të ekonomisë shqiptare.
Ajo kërkoi një zgjidhje të menjëhershme dhe një strategji ekonomike për të mbështetur familjet, bizneset, prodhimin dhe bujqësinë.
Deklarata e plotë:
Fatkeqësisht, euro ka arritur minimumin e saj historik. Por, në rastin e Shqipërisë, kjo nuk do të thotë se kemi një ekonomi më të fortë.
Vlera prej rreth 93 lekësh që ka arritur euro ditët e fundit nuk vjen as nga një prodhim më i sofistikuar, as nga rritja e ekonomisë prodhuese, as nga rritja e produktivitetit dhe as nga rritja e eksporteve. Nuk ka asnjë shpjegim logjik ekonomik për këtë situatë.
Por le t’i bëjmë pak llogaritë: kush fiton dhe kush humbet në këtë rast?
Një biznes që faturon në euro, apo një biznes turistik ku klientët paguajnë në euro, ndërkohë që të gjitha shpenzimet i ka në lekë, sigurisht që humbet.
Bujqësia humbet. Eksportet shqiptare humbasin. Fasoneria humbet. Prodhimi humbet. Familja shqiptare humbet.
Është fakt se shumë familje shqiptare jetojnë me të ardhurat që u vijnë nga familjarët e tyre, të cilët, fatkeqësisht, janë larguar nga vendi. Sot, e njëjta shumë e dërguar në euro kthehet në më pak lekë dhe siguron më pak të ardhura për familjet.
Ekonomia shqiptare po humbet nga zhvlerësimi i euros. Prodhimi shqiptar po humbet nga zhvlerësimi i euros. Bujqësia shqiptare po humbet nga zhvlerësimi i euros.
Kjo është një këmbanë alarmi. Pothuajse një e treta e vlerës së euros është zhvlerësuar, pa një shpjegim që lidhet me faktorët realë ekonomikë.
Kjo situatë ka nevojë për një zgjidhje të menjëhershme. Ka nevojë për një strategji për të dalë nga kriza ku sot janë futur familjet shqiptare, bizneset shqiptare, prodhimi shqiptar dhe bujqësia shqiptare.
Dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me sistemin dhe me mënyrën se si mazhoranca socialiste e ka ndërtuar modelin ekonomik: një model ekonomik që sot ka dështuar.