
Nga Alice Taylor, POLITICO.eu/ “Revolucioni i Flamingove” në Shqipëri u nxeh të martën me përleshje midis protestuesve dhe policisë, vetëm një ditë pasi eurodeputetët mbërritën në kryeqytet për të shprehur mbështetjen e tyre për lëvizjen. 6 persona u arrestuan.
Përleshjet e së martës shënuan një përshkallëzim nga demonstratat paqësore në Tiranë gjatë 31 ditëve të fundit.
Fillimisht, shqiptarët protestonin ndaj një propozimi për një vendpushim luksoz në një vijë bregdetare të paprekur në jug e lidhur me dhëndrin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner.
Por gjatë muajit të kaluar, demonstruesit kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e të gjithë qeverisë dhe të opozitës, shfuqizimin e ligjeve të diskutueshme në lidhje me investimet dhe mjedisin, të cilat ata thonë se hapin rrugën për projekte që kërcënojnë natyrën, si dhe instalimin e një qeverie teknike.
Të dielën, në protesta mori pjesë anëtarja italiane e Parlamentit Europian Ilaria Salis, e ndjekur të hënën nga eurodeputetja gjermane Jutta Paulus dhe eurodeputetet holandeze Tineke Strik dhe Anna Strolenberg, të gjitha nga grupi “Të Gjelbrit”. Salis, Paulus dhe Strik iu drejtuan turmës, duke lavdëruar lëvizjen dhe popullin shqiptar, dhe duke bërë thirrje që projekti i resortit të ndalet.
“Unë besoj se protestat e Flamingove kanë një rëndësi thellësisht evropiane, dhe ndoshta edhe globale. Ato shprehin një kërkesë popullore për një model zhvillimi rrënjësisht të ndryshëm - një model që hedh poshtë kapitalizmin grabitqar dhe i vë njerëzit, komunitetet dhe mjedisin në radhë të parë”, tha Salis në një deklaratë pas vizitës së saj.
Ajo shtoi se protestat ishin një “shembull i jashtëzakonshëm i demokracisë bazë në veprim”.
Të martën në mëngjes, rreth 200 protestues u mblodhën jashtë parlamentit teksa ligjvënësit mbërritën për një seancë plenare. Mes thirrjeve që deputetët të jepnin dorëheqjen dhe akuzave për korrupsion, disa njerëz hodhën vezë drejt makinave të ligjvënësve. Policia u mblodh për të shtyrë protestuesit prapa, duke penguar një gazetar të filmonte. Disa njerëz në vendngjarje pësuan lëndime të lehta, sipas dëshmitarëve.
Tensionet u përshkallëzuan më tej kur disa persona hodhën shishe uji dhe gurë drejt makinave të parlamentit dhe të deputetëve, duke pasuar në konfrontime të mëtejshme me policinë, të pasuara nga 6 arrestime.
Një turmë protestuesish marshoi më pas drejt selisë së policisë për të kërkuar lirimin e të burgosurve dhe për të dënuar policinë për atë që ata e quajtën taktika të rënda.
Paulus tha se nuk kishte parë dhunë apo gjuhë të ashpër në protestat në të cilat kishte marrë pjesë të hënën, duke përshkruar një “atmosferë miqësore” dhe “shumë familje me fëmijë”. Kur u pyet për përshkallëzimin e së martës — në të cilën nuk ishte e pranishme — ajo tha: “Dhuna nuk është kurrë e pranueshme.”
Strik theksoi se protestat e së hënës në mbrëmje ishin paqësore, por nuk mund të komentonte për ato të së martës, pasi ajo nuk ishte në Tiranë kur ato ndodhën.
Një nga të arrestuarit ishte Dritan Goxhaj, i akuzuar publikisht nga qeveria për lidhje me regjimin iranian. Ai, së bashku me një protestues tjetër, u lirua pas disa orësh.
Javën e kaluar, një shtetaseje të Kosovës, Igballe Huduti, iu ndalua hyrja në Shqipëri për 15 vjet pasi u fotografua në një protestë. Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha se vendimi ishte bazuar në informacione nga institucionet e zbatimit të ligjit, duke përmendur kërcënime ndaj "sigurisë kombëtare, sigurisë së atdheut dhe sigurisë publike".
Kjo vjen pasi kryeministri Edi Rama vazhdimisht ka pretenduar ndërhyrje të huaja në protesta, kryesisht nga Irani. ©Përshtati në shqip LAPSI.al