
Robert Duka, i arrestuar së fundmi për grabitjen e dy bankave rezulton të ketë një histori të gjatë përplasjesh me drejtësinë, e cila shtrihet edhe përtej kufijve të vendit. Sipas të dhënave nga autoritetet greke, në vitin 2010 ai u arrestua së bashku me tre shtetas të tjerë shqiptarë, nën dyshimin për përfshirje në një organizatë kriminale që akuzohej për 28 grabitje të armatosura në supermarkete në rajonin e Atikës.
Hetimet greke zbuluan se aktiviteti i grupit dyshohej se kishte nisur që në vitin 2007 dhe kishte vijuar deri në vitin 2010. Përfitimet nga grabitjet llogariteshin në më shumë se 1.2 milionë euro. Pas arrestimit, Duka u dërgua në burgun grek, por në vitin 2016 arriti të arratisej së bashku me disa të dënuar të tjerë nga burgu i Tirinthës.
Arratisja e tij zgjati rreth dy vite. Në vitin 2018, ai u lokalizua dhe u arrestua sërish në Greqi, në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës. Një vit më vonë, në vitin 2019 ai u lirua me kusht. Ndërkohë, pas arrestimit të fundit në Shqipëri, vëmendja e autoriteteve është përqendruar edhe te pasuria e tij. Policia e Tiranës pritet të nisë një hetim pasuror për të verifikuar burimin e të ardhurave dhe asetet që disponon 50-vjeçari.