
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, e cilësoi të dielën sulmin ndaj paradës Christopher Street Day (Berlin Pride), ku humbi jetën një person dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, si një “sulm terrorist islamist.”
Duke folur nga vendi i ngjarjes në parkun Tiergarten të Berlinit, Dobrindt u tha gazetarëve:
“Gjithçka që kemi parë deri tani tregon se kemi të bëjmë me një sulm terrorist islamist. Ne e dimë se i dyshuari, Abdul Ballout, është në arrati.”
“Ky është një element vendimtar, sepse do të thotë se të gjitha forcat e policisë janë angazhuar në një operacion të madh për kapjen e tij,” shtoi ai.
Policia ka lëshuar një urdhër arresti për Ballout, një 21-vjeçar gjerman me origjinë libaneze. Dobrindt tha se kërkimet nuk po zhvillohen vetëm në kryeqytetin gjerman, por edhe në stacionet e trenave, aeroportet dhe në kufijtë e Gjermanisë.
Sipas ministrit, i dyshuari drejtoi një furgon drejt turmës në një shteg që kalon përmes parkut Tiergarten, pranë vendit kryesor ku po zhvillohej aktiviteti i Pride, në orët e vona të së shtunës. Më pas, ai dyshohet se sulmoi njerëzit me një armë të ftohtë, që mendohet të ketë qenë një hanxhar (machete), duke plagosur rëndë disa prej tyre.
Dobrindt konfirmoi informacionet e raportuara gjatë natës, sipas të cilave një grua humbi jetën dhe 29 persona mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë ose kritike për jetën.
Ai tha se i dyshuari “kishte qenë më parë në vëmendjen e autoriteteve për shkak të një sërë veprash penale, radikalizimit të tij dhe lidhjeve me rrethet islamiste.”
Sipas Dobrindt, radikalizimi i tij kishte çuar më herët edhe në një dënim penal.
Sipas një raportimi të gazetës WELT, i dyshuari ishte klasifikuar si një kërcënim për sigurinë dhe ishte dënuar sipas Kodit Penal gjerman për përgatitjen e një akti të rëndë dhune që rrezikon shtetin.
WELT raportoi gjithashtu se një gjykatë e kishte urdhëruar Ballout të merrte pjesë në seanca këshillimi, si pjesë e një programi për çradikalizimin dhe parandalimin e ekstremizmit.
Ndërkohë, operacioni për kapjen e tij vazhdonte. Policia i tha POLITICO-s se efektivët po kontrollonin stacionet e trenave në të gjithë Berlinin, përfshirë edhe stacionin Anhalter Bahnhof, pranë vendit ku ndodhi sulmi.
Një zëdhënëse e policisë tha se autoritetet po kërkonin “të paktën një” të dyshuar.
Dobrindt tha se nuk mund të përjashtohet mundësia që “sulme të tilla të tmerrshme terroriste të frymëzojnë imitues”, megjithëse vlerësoi se rreziku është i ulët. Ai u bëri thirrje landeve gjermane të forcojnë masat e sigurisë për aktivitete të ngjashme.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e dënoi sulmin, ndërsa disa krerë shtetesh europiane shprehën ngushëllimet e tyre.
Merz dhe disa anëtarë të kabinetit të tij morën pjesë më vonë të dielën në një ceremoni përkujtimore. Para ceremonisë, kancelari u tha gazetarëve:
“Këto sulme kanë vetëm një qëllim. Ato synojnë të përçajnë shoqërinë tonë. Synojnë të na marrin atë që kemi më të çmuar: hapjen dhe lirinë tonë.”
Ai shtoi:
“Ne nuk do të lejojmë që ky helm i terrorizmit, ky helm i drejtuar kundër lirisë sonë, të përhapet më tej në shoqërinë tonë.”/Politico.eu