Flash

Makthi 7-1 te Roma kur të vizitojë Old Trafford: Bayern test delikat, në fushë edhe PSG e Inter

Mbrëmje vendimtare për Romën dhe Interin në Champions League, por në fushë do të zbresin edhe Bayern Munich, Barcelona e PSG.

Lapsi.al 3 November 2026

Makthi 7-1 te Roma kur të vizitojë Old Trafford: Bayern test delikat,

Mbrëmje vendimtare për Romën dhe Interin në Champions League, por në fushë do të zbresin edhe Bayern Munich, Barcelona e PSG. Dy skuadrat italiane zbresin në fushë në orën 21:00 për javën e katërt të fazës së ligës. Gasperini kërkon konfirmimin e momentit pozitiv ndaj Manchester United, ndërsa Chivu dhe Inter luajnë për pikë jetike në Rotterdam. 

MANCHESTER UNITED-ROMA

Një mbrëmje me peshë të veçantë në Champions League për Romën, që do të përballet me Manchester United në një prej stadiumeve më ikonike të futbollit europian. Sfida, e vlefshme për javën e katërt të fazës së ligës, do të luhet këtë të martë, më 3 nëntor 2026, në orën 21:00, në “Old Trafford”.

Skuadra e Gian Piero Gasperinit mbërrin në Angli me moralin e lartë pas rezultateve pozitive në kampionat. Roma renditet në vendin e tretë në Serinë A dhe vjen nga një fitore bindëse në transfertën ndaj Udineses. Edhe në arenën europiane, pas disa vështirësive në ndeshjet e para, verdhekuqtë kanë arritur të reagojnë, duke marrë një fitore të rëndësishme 4-0 ndaj Slovan Bratislavës. Megjithatë, Gasperini do të duhet të bëjë llogaritë me disa mungesa. Pellegrini dhe Svilar nuk do të jenë të gatshëm, ndërsa situata fizike e Paulo Dybala dhe Manu Koné mbetet për t’u vlerësuar deri në momentet e fundit.

Në krahun tjetër, Manchester United po kalon një periudhë të vështirë. Dy humbje dhe tri barazime në pesë ndeshjet e fundit të Premier League kanë shtuar presionin mbi skuadrën dhe trajnerin Michael Carrick. Pozicioni i këtij të fundit është vënë në diskutim, ndërsa Antonio Conte përmendet ndër emrat më të kuotuar për ta zëvendësuar në pankinën e “Djajve të Kuq”.

Formacionet e mundshme dhe transmetimi i ndeshjes

Përballja Manchester United-Roma do të nisë në orën 21:00. Gasperini pritet t’i besojë sërish një skeme me tre sulmues, ku Soulé, Mora dhe Malen do të kenë përgjegjësinë për të krijuar rrezik në zonën kundërshtare. Ndërkohë, Carrick pritet të vendosë pas Mbeumo treshen Mount-Fernandes-Diallo.

Manchester United (4-2-3-1): Lammens; Dalot, Maguire, de Ligt, Martinez; Andrey Santos, Baleba; Mount, Fernandes, Diallo; Mbeumo. Trajner: Carrick.

Roma (3-4-2-1): Gollini; Balerdi, Ndicka, Hermoso; Molina, de Roon, Cristante, Wesley; Soulé, Mora; Malen. Trajner: Gasperini.

Ecuria në Champions, Roma me një pikë më shumë

Përpara kësaj përballjeje, Roma ka grumbulluar katër pikë në tri ndeshjet e para të fazës së ligës. Verdhekuqtë e nisën aventurën europiane me një barazim në transfertën turke ndaj Fenerbahçe, më pas u mposhtën në shtëpi nga Real Madrid me rezultatin 4-3, përpara se të shpërthenin me fitoren 4-0 ndaj Slovan Bratislava.

Manchester United, nga ana tjetër, ka vetëm tri pikë. Anglezët e nisën me një fitore të pastër 4-0 ndaj Sabah, por më pas pësuan dy humbje radhazi, fillimisht në transfertën ndaj Atletico Madrid dhe më pas kundër Comos, me rezultatin e rëndë 4-1. Për të dyja skuadrat, kjo sfidë përfaqëson një mundësi për të përmirësuar pozitat në renditje dhe për të mos e komplikuar më tej objektivin e kualifikimit.

Roma do të rikthehet në fushë më 25 nëntor, kur do të luajë në transfertë ndaj PSG-së. Më pas, më 8 dhjetor, verdhekuqtë do të presin Sportingun në “Olimpico”, në ndeshjen e fundit përpara pushimit të Krishtlindjeve. Pikërisht skuadra portugeze do të jetë kundërshtarja e radhës e Manchester United në javën e pestë të fazës së ligës.

FEYENOORD-INTER

Një tjetër ndeshje me rëndësi të madhe për futbollin italian do të luhet në Holandë. Inter do të vizitojë Feyenoord në orën 21:00, në një transfertë që mund të ndikojë ndjeshëm në vazhdimësinë e zikaltërve në Champions League.

Skuadra e Cristian Chivu nuk ka pasur një ecuri bindëse në tri ndeshjet e para europiane. Dy humbje, ndaj Real Madrid dhe Club Brugge, si dhe vetëm një fitore minimale kundër Shakhtar, e kanë vendosur Interin në një situatë delikate. Për më tepër, zikaltërit vijnë pas humbjes së dhimbshme në derbi dhe duhet të reagojnë, pavarësisht se kalendari i kampionatit italian i rezervon më pas një tjetër sfidë të vështirë kundër Comos.

Edhe Feyenoord nuk ka arritur të krijojë një diferencë në renditje. Holandezët dhe Interi kanë nga tri pikë, por zikaltrit renditet në vendin e 20-të, ndërsa vendasit mbajnë pozicionin e 26-të. Diferenca e golave është faktori që i ndan: -1 për zikaltërit dhe -4 për Feyenoord. Me këtë situatë, fitorja bëhet objektiv i rëndësishëm për të dyja skuadrat. Në një fazë ku çdo pikë mund të përcaktojë fatin e kualifikimit, një tjetër hap fals do të komplikonte ndjeshëm rrugëtimin europian.

Formacionet e mundshme

Pas zgjedhjes për të aktivizuar vetëm Thuramin në majën e sulmit në derbin me Milanin, Chivu pritet të rikthejë skemën me dy sulmues. Në mungesë të Lautaro Martinezit, Pio Esposito shihet si kandidati kryesor për të formuar dyshen me francezin.

Edhe reparti i mbrojtjes do të ketë ndryshime. Bastoni mungon për shkak të pezullimit pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit, ndaj treshja përpara portierit Martinez pritet të përbëhet nga Bisseck, Akanji dhe Carlos Augusto.

Në krahë do të aktivizohen Luis Henrique dhe Dimarco, ndërsa në mesfushë pritet të ketë një balotazh për rolin e organizatorit. Zielinski është një alternativë për të zëvendësuar Calhanoglun, me Barellën dhe Mkhitaryanin si pjesë të tjera të repartit.

Feyenoord (4-3-3): Ernst; Read, St. Juste, Mármol, López; Zechiël, Vanhoutte, Targhalline; Hadj Moussa, Ferri, Valente. Trajner: Van Bronckhorst.

Inter (3-5-2): Martinez; Bisseck, Akanji, Carlos Augusto; Luis Henrique, Barella, Calhanoglu, Zielinski, Dimarco; Thuram, Esposito. Trajner: Chivu.

Arbitri: Nyberg (Suedi). Asistentë: Beigi dhe Soderkvist (Suedi). Arbitër i katërt: Ladeback (Suedi). VAR: Kwiatkowski (Poloni). AVAR: Stuart Attwell (Angli).

E njëjta ecuri, por Interi ka një avantazh të vogël

Inter dhe Feyenoord kanë regjistruar nga një fitore dhe dy humbje në tri javët e para të Champions League. Zikaltërit u mposhtën 2-1 nga Real Madrid në “Santiago Bernabeu” dhe më pas pësuan një humbje 3-4 në shtëpi ndaj Club Brugge, përpara se të merrnin tri pikët kundër Shakhtar me rezultatin 1-0.

Edhe Feyenoord ka një bilanc të ngjashëm. Holandezët humbën 5-1 ndaj Barcelonës dhe 1-0 kundër Betis, por arritën të mposhtin Comon me rezultatin 3-2. Në këto kushte, diferenca e golave i jep Interit një avantazh të lehtë në renditje. Megjithatë, për skuadrën e teknikut Chivu nuk mjafton vetëm të ruajë pozicionin aktual. Një rezultat pozitiv në Rotterdam do të ishte thelbësor për të qëndruar në garën për fazën e mëtejshme të kompeticionit.

Kalendari i ndeshjeve të ardhshme të Interit

Pas transfertës ndaj Feyenoordit, zikaltërit do të kenë përpara edhe katër takime të tjera në fazën e ligës:

- 25 nëntor: Inter-Stuttgart, ora 21:00.

- 9 dhjetor: Borussia Dortmund-Inter, ora 21:00.

- 19 janar: Inter-Liverpool, ora 21:00.

- 27 janar: Slovan Bratislava-Inter, ora 21:00.

Champions League, të gjitha ndeshjet e mbrëmjes

Përveç Romës dhe Interit, programi i kësaj të marte rezervon edhe disa përballje të tjera interesante. Në fushë do të zbresin Bayern Munich, Atletico Madrid, Barcelona dhe Paris Saint-Germain.

Champions League League Stage

Galatasaray 18:45 VfB Stuttgart

Shakhtar Donetsk 18:45 Sporting CP

Atletico Madrid 21:00 Bayern Munich

Barcelona 21:00 Aston Villa

Bodoe/Glimt 21:00 Lille

Feyenoord 21:00 Inter

LASK 21:00 Slovan Bratislava

Manchester United 21:00 AS Roma

Villarreal 21:00 Paris Saint-Germain

 

 

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI