Flash

MABCO i drejtohet MIE: Nuk dimë ç’bëhet në llogaritë e VIA, të hetohet ç’ndodhi në Aeroport

Lapsi.al 23 August 2026

Kompania MABCO e biznesmenit nga Kosova, Behgjet Pacolli i është drejtuar me anë të një letre Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për situatën që po kalon në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. 

Në letrën që mban datën e 20 gusht, MABCO tërheq vëmendjen se që nga tetori i vitit 2025, nuk ka pasur dhe vazhdon të mos ketë qasje në llogaritë bankare të VIA-s. 

“Të gjitha operacionet bankare janë kryer nga administratori i VIA-s, të cilin MABCO e konsideron të emëruar në mënyrë të paligjshme, ndërsa MABCO është privuar nga çdo informacion mbi veprimtarinë e shoqërisë, veçanërisht aktivitetin financiar të saj.

Për këtë situatë, MABCO u është drejtuar në mënyrë të përsëritur institucioneve kompetente, duke kërkuar ndërhyrje dhe garantimin e së drejtës së saj për informim, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje apo zgjidhje efektive.

MABCO është mbajtur padrejtësisht jashtë çdo informacioni mbi lëvizjet financiare, pagesat, detyrimet dhe operacionet bankare të shoqërisë, duke krijuar një situatë serioze mungese transparence dhe kontrolli mbi administrimin e fondeve të VIA-s” – thuhet në letër.

Kompania e Pacollit nënvizon se po ashtu, që nga Tetori 2025 kur filloi një seri vendimesh të njëpasnjëshme dhe kontraverse ndaj MABCO-s (të cilat më pas u rrëzuan nga Gjykata e Lartë si të pabazuara në ligj) MABCO ka kërkuar vazhdimisht një hetim të plotë dhe të paanshëm mbi të gjitha rrethanat që çuan në situatën aktuale të aeroportit të Vlorës.

MABCO i kërkon ministrit Enea Karakaçi që përveç hetimit që duhet të sqarojë “mënyrën se si u përfshinë dhe u përdorën institucionet të ndryshme të shtetit, duke çuar përfundimisht në bllokimin total të punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës për fazën kur projekti ishte përfundim, MABCO ka kërkuar në mënyrë të përsëritur edhe kryerjen e një AUDITIMI TË PLOTË TEKNIKO FINANCIAR të të gjithë projektit”.

Sipas kompanisë së Pacollit, fakti që kërkesat e MABCO-s drejtuar institucioneve kompetente për zhbllokimin e situatës, eliminimin e pengesave dhe adresimin e shkaqeve që çuan në ndërprerjen e punimeve nuk janë marrë në konsideratë, vetëm sa e bën të domosdoshëm një proces të pavarur verifikimi.

“Në mungesë të transparencës dhe të një hetimi profesional, ekziston rreziku që më vonë të dalin në pah problematika me përmasa shumë më të mëdha.

Për këtë arsye, MABCO kërkon përfundimisht dhe pa asnjë rezervë kryerjen e një AUDITIMI TEKNIKO FINANCIAR NGA NJË KOMPANI E SPECIALIZUAR dhe me reputacion ndërkombëtar në këtë fushë. 

Ministria MIE dhe institucionet përgjegjëse nuk duhet të kenë asnjë arsye për ta penguar apo vonuar një auditim të tillë. Përkundrazi, një proces transparent dhe profesional është në interes të shtetit, investitorëve, partnerëve financiarë dhe publikut shqiptar.

Auditimi financiar duhet të përfshijë në mënyrë të detajuar:

dokumentacionin e tenderit dhe procedurat e prokurimit;

mënyrën e sigurimit dhe strukturimit të kredive financuese;

garancitë dhe garantuesit e këtyre kredive;

çdo pagesë të realizuar në funksion të investimit;

kontratat me kontraktorët dhe nënkontraktorët, përmbajtjen dhe vlerën e tyre;

certifikatat dhe dokumentacionin bankar të çdo pagese;

burimin dhe prejardhjen e fondeve të investuara;

faturat dhe dokumentacionin për furnizimin e materialeve dhe pajisjeve;

shpenzimet e transportit, doganave dhe TVSH-së;

pagesat për instalimin, montimin dhe vënien në funksion të pajisjeve dhe sistemeve;

si dhe çdo shpenzim tjetër të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me realizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës” – thuhet në letrën që disponon lapsi.al.

MABCO shkruan se qëllimi i këtij auditimi është të përcaktojë me saktësi vlerën reale të çdo investimi të kryer në projekt, të verifikojë çdo pagesë dhe njëkohësisht të konfirmojë ligjshmërinë dhe prejardhjen e çdo centi të investuar.

“Një auditim i tillë profesional, ndërkombëtar dhe plotësisht i pavarur është më se i nevojshëm për një projekt të kësaj përmase dhe rëndësie, të realizuar në kuadër të një partneriteti publik-privat.

Ai do të shërbente gjithashtu për të sqaruar përfundimisht opinionin publik dhe për të eliminuar çdo narrativë, dyshim apo interpretim të krijuar gjatë kësaj periudhe, përfshirë ato të nxitura nga vendime gjyqësore kontroverse, të cilat jo vetëm kanë prodhuar pasoja të rënda për investimin, por kanë krijuar edhe paqartësi dhe konfuzion të konsiderueshëm në publik.

MABCO nuk kërkon privilegj. Kërkon transparencë, verifikim profesional dhe të vërtetën e dokumentuar për çdo euro të investuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës” – thuhet në letrën e firmosur nga Emin Pacolli, President i “Mabco Constructions SA”. ©LAPSI.al


Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI