
Tabloidi britanik “The Sun” raporton se vetëm 13 të burgosur shqiptarë janë dërguar në shtëpi në kuadër të një marrëveshjeje prej 8 milionë paundësh që synon të dëbojë 200 shqiptarët që kanë bërë krime të rënda në Britaninë e Madhe.
Programi u lançua 3 vjet më parë për t'i detyruar vrasësit, përdhunuesit dhe trafikantët e drogës të kalojnë kohën në vendin e tyre duke ulur kostot e taksapaguesve britanikë.
Sipas “The Sun” shqiptarët kanë qenë kombësia e huaj më e madhe në burgje gjatë 7 viteve të fundit, me rreth 940 të burgosur që përbëjnë afërsisht 9-12% të shkelësve të ligjit jo-britanikë.
Një hetim i “The Sun on Sunday” zbuloi se 5 shqiptarë burgosen çdo ditë në këtë vend. Shumë prej tyre janë emigrantë të paligjshëm që mbërrijnë me anije të vogla. Të tjerë kishin paguar deri në 20,000 paund për t'u kontrabanduar me kamionë.
Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria njoftuan transferimin e të burgosurve në vitin 2023, që supozohet të kushtonte 8 milionë paund gjatë 2 viteve të para. Por një burim në Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri tha: “Qëllimi ishte të transferoheshin 200 të burgosur shqiptarë që po vuanin më shumë se 4 vjet burg, por vetëm 13 janë transferuar deri më tani.”
Midis atyre që ende presin dëbimin janë 15 vrasës që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm. Një prej tyre është Koci Selamaj, 41 vjeç, i cili mori një minimum prej 36 vitesh burg për vrasjen e mësueses Sabina Nessa, 28 vjeç, në një park në Londrën Juglindore në vitin 2021.

Ai sulmoi dy oficerë burgu në “HMP Frankland” në Qarkun Durham në maj 2023.

Strehimi i një të burgosuri në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar u kushton taksapaguesve mesatarisht 56,000 paund në vit.
Duke folur për skemën e transferimit të të burgosurve në vitin 2023, ish- Sekretari i Drejtësisë, Alex Chalk tha: “Kjo marrëveshje do të përshpejtojë largimin e këtyre shkelësve dhe do t’u japë viktimave besimin se kriminelët e rëndë do të vazhdojnë të përballen me drejtësinë.”
Shqipëria i kërkoi Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të sigurojë 8 milionë paund për të forcuar sistemin e saj të burgjeve për të zbatuar skemën. Qeveria pranoi të japë 4 milionë paundë në vit, por ka theksuar se paguan vetëm një pjesë të saj për çdo të burgosur të kthyer.
Mendohet se vonesat janë për shkak të dosjeve të prapambetura në gjykatat shqiptare, të cilat duhet të njohin dënimin e dhënë në Britani.
Qeveria britanike deklaroi: “Marrëveshjet e transferimit të të burgosurve janë vetëm një mënyrë për të nxjerrë kriminelët e huaj nga burgjet tona. Mbi 11,700 janë hequr që nga korriku i vitit 2024." ©LAPSI.al