
Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për mbrojtjen e tokës dhe mjedisit, duke iu referuar protestave të zhvilluara prej muajsh në Shqipëri, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.
Gjatë prezantimit të këngës së tij më të re, “Nu simu niente” (“Ne nuk jemi asgjë”), Meta iu drejtua publikut me një mesazh të fortë, duke sjellë si shembull rezistencën e qytetarëve shqiptarë përballë interesave të mëdha industriale dhe korporative.
“Është një këngë që flet për njerëzit, për njerëzit që e kuptojnë se ne nuk jemi asgjë, por që ndoshta kemi ende një gjë të vogël, fuqinë për t’u ngritur në këmbë kundër atyre që duan të na uzurpojnë tokën tonë”, u shpreh këngëtari.
Meta tha se protestat në Shqipëri e kanë bërë të reflektojë dhe veçoi qëndrimin e fermerëve dhe njerëzve të thjeshtë, të cilët, sipas tij, po tregojnë dinjitet duke u përballur me pushtete dhe interesa të mëdha.
"Fermerë të vegjël, njerëz të thjeshtë që në të vërtetë bëhen të mëdhenj për t’u përballur kundër fuqive, kundër pushteteve të pamendueshme”, tha ai.
Këngëtari theksoi gjithashtu se problematika të ngjashme ekzistojnë edhe në Itali, duke përmendur Pulian, Ostunin dhe Sardenjën.
Në fund të mesazhit të tij, Meta përcolli një qëndrim të qartë për mbrojtjen e tokës: “Kjo tokë, për sa kohë që jemi këtu, është jona; dhe nuk shitet, e as mund të blihet.”
Me këtë deklaratë, Ermal Meta bëhet një tjetër emër i njohur që shpreh mbështetje për protestat, pas reagimeve të figurave të tjera shqiptare me famë ndërkombëtare, mes tyre edhe Dua Lipa. /LAPSI.al

