
Pasi ngriti prej ditësh teorinë se protesta për Zvërnecin ishte e frymëzuar nga keqinformimi i grekëve, xhelozë për zhvillimin e turizmit shqiptar, kryeministri Rama e ka rritur një shkallë më lart nivelin e alarmit dhe ka kaluar te sulmet nga Irani. Gjatë samitit në Malin e Zi, kur po fliste me gazetarët e mediave të huaja, Rama u tha se shkak i protestave ishin sulmet kibernetike nga iranianët që edhe më parë kishin kryer sulme kibernetike, por kësaj radhe kishin nxitur konspiracionin sikur ai dhe Netanjahu dhe Kushner do të sillnin palestinezë nga Gaza në Shqipëri.
Deklarata për sulme nga iranianët është një kthesë e fortë, një risi dhe një deklaratë surprizë, një distancim nga teoritë e ditëve të fundit që e vinin theksin tek autobuzët nga Greqia, dhe e justifikonin këtë me xhelozinë e fqinjëve tanë për investimin në Zvërnec.
"Kjo nuk ka të bëjë me ambjentalistët, ose nuk ka të bëjë vetëm me ambjentalistët. Ka të bëjë pikësëpari me një luftë hibride nga armiq të vendit. Ne i njohim. Kush e di historinë e vendit tim i njeh ata. Iranianët, të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kundër nesh që prej një kohe të gjatë dhe na kanë bërë kaq shumë dëme sa na kanë detyruar t'i nxjerrim nga vendi, janë pjesë e kësaj. Që të nxisin narrativën se projekti nuk është ai që thuhet por është një marrëveshje mes meje dhe Bibi Netanjahut dhe Jared Kushner, për të sjellë palestinezët në Shqipëri. Kjo është një prej narrativave dhe ka tërhequr shumë vëmëndje. Keni parë video të rreme, me qindra mijëra njerëz që bërtasin "Izrael shko në shtëpi" është e gjitha e rreme. Sepse nuk ka asgjë të tillë në Shqipërinë reale dhe është turp. Nga ana tjetër ka njerëz, mirëfilli të shqetësuar dhe me qëllime të mira dhe ju kam thënë që nuk ka asgjë për t'u shqetësuar sepse projekti nuk është gati. Nuk e kemi ende projektin. T'i siguroj për çfarë? Ne kemi qenë të parët që i kemi siguruar për standartet dhe tani do të presim projektin. Nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, nëse sheh pastaj se numri i të gjithë llogarive shqiptare në mjedisin dixhital është rritur që nga dita e parë, kupton se është një sulm hibrid" u shpreh Rama për gazetarët e huaj.