
Autoriteti Rrugor Shqiptar përmbylli procedurën e re të prokurimit publik për projektin "Plotësimi i punimeve në rrugën Qafa e Buallit - Martanesh". Fitues i këtij tenderi është shpallur sërish i njëjti bashkim operatorësh ekonomikë, "BE - IS SH.PK", "ERGI" dhe "VËLLEZËRIT HYSA", të cilët morën kontratën me një ofertë financiare prej 952,928,422.00 lekësh pa TVSH.
Ky aks rrugor ka si qëllim lidhjen dhe zhvillimin e zonës së Martaneshit, ndërsa afati i zbatimit të kësaj faze të dytë është përcaktuar në 10 muaj. Ky vendim vjen pas një kontrate të parë të nënshkruar në dhjetor të vitit 2023 për sistemimin dhe asfaltimin e këtij segmenti prej 16.5 kilometrash.
Atë procedurë e kishte fituar po ky konsorcium kompanish me një ofertë prej 947.6 milionë lekësh, duke marrë përsipër përfundimin e plotë brenda vitit 2025.
Megjithatë, për shkak se segmenti mbeti pjesërisht i papërfunduar, institucioni hapi garën e dytë për plotësimin e punimeve të mbetura, e cila e dyfishoi koston e rrugës nga 11 milionë euro në 22 milionë euro.
Procedura e fundit e prokurimit, kishte një fond limit prej 1,04 miliardë lekësh pa TVSH. Vlerësimi i ofertave bazohej në sistemin e pikëve, ku çmimi i ofruar përbënte 60 pikë, ndërsa 40 pikët e tjera ndaheshin për kriteret teknike si metodologjia, stafi, garancia dhe propozimet për reduktimin e impaktit mjedisor e social.
Gjatë vlerësimit të kryer nga komisioni, konsorciumi fitues grumbulloi gjithsej 275.40 pikë. Menjëherë pas tyre u rendit kompania "BAMI HOLDING" me 271.80 pikë dhe një ofertë prej 989,083,857.70 lekësh pa TVSH.
Ndërkohë, operatori "ALBAVIA", i cili ofroi vlerën 1,02 miliardë lekësh, u skualifikua për shkak të mungesës së dokumentacionit të saktë teknik dhe certifikatave të menaxhimit të cilësisë SSH EN ISO 9001:2015. Gjithashtu, nga gara u skualifikua edhe kompania "ADIDAS - ONE", pasi kishte dorëzuar vetëm preventivin e punimeve pa dokumentet e tjera ligjore të kërkuara. /Kapitali.al
