
Në orët e para të mëngjesit të 15 korrikut, në hyrje të burgut të sigurisë së lartë në Reç të Shkodrës, ishte vendosur një autokolonë me mjete të blinduara.
Pak pas orës 09:00, kangjellat e hekurta u hapën dhe prej tyre doli një burrë rreth 40-vjeç, i veshur me një bluzë të zezë me mëngë të shkurtra, pantallona të zeza dhe me një çantë të vogël në dorë. Ai hipi menjëherë në një prej automjeteve të blinduara dhe u largua, duke rifituar lirinë.
Ishte Sokol Sanxhaktari, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i dënuar për vrasjen e Florian Lamçes.
Emri i tij ishte renditur i 123-ti në listën e përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, mes të dënuarve që përfitonin nga amnistia e miratuar pak kohë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ligji parashikon lirimin e burrave të dënuar me vendim të formës së prerë, të cilëve u kanë mbetur deri në tre vite burg për të vuajtur.
Nga përfitimi përjashtohen personat e dënuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë krimin e organizuar, terrorizmin, korrupsionin, çështjet në kompetencë të GJKKO-së, si dhe personat që i janë shmangur drejtësisë ose janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Në rastin e Sanxhaktarit, autoritetet e burgjeve vlerësuan se ai plotësonte kriteret ligjore për përfitim, pasi pjesa e mbetur e dënimit hynte brenda kufijve të përcaktuar nga amnistia.
Lirimi përmes amnistisë i dha fund një serie përpjekjesh ligjore që Sanxhaktari kishte ndërmarrë gjatë muajve të fundit për të mos e vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në qeli.
Më 25 nëntor 2025, ai depozitoi në Gjykatën e Shkodrës një kërkesë për ndërprerjen e vuajtjes së dënimit në burg dhe zëvendësimin e tij me masën alternative “Qëndrim në shtëpi”.
Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Eni Naqellari dhe kishte si objekt zëvendësimin e pjesës së mbetur të dënimit të dhënë me vendimin nr. 175, datë 16 mars 2022, të Gjykatës së Elbasanit, të ndryshuar më pas nga Gjykata e Apelit Durrës.
Në argumentimin e tij, Sanxhaktari pretendonte se kishte kryer më shumë se tre të katërtat e dënimit 15-vjeçar dhe se plotësonte kushtet për ta vijuar pjesën e mbetur në banesë.
Pak muaj më parë, në mars 2025, Gjykata e Shkodrës i kishte pranuar një tjetër kërkesë, duke i ulur dënimin me 90 ditë burg. Ndërsa një kërkesë tjetër për lirim me kusht ishte rrëzuar. Në momentin kur Kuvendi miratoi amnistinë penale, procesi për zëvendësimin e dënimit me “qëndrim në shtëpi” vijonte ende në gjykatë, por u bë i panevojshëm pasi Sanxhaktari përfitoi lirimin e plotë.

Sokol Sanxhaktari u dënua me 15 vite burg për vrasjen e shokut të tij, Florian Lamçe, i njohur edhe me nofkën “Flor Qorri” ose “Shkodrani”.
Sipas hetimeve, Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari kishin konsumuar alkool së bashku me Florian Lamçen. Pas një konflikti mes tyre, dy autorët e goditën viktimën me shishe dhe sende të forta, plagë që rezultuan fatale për 40-vjeçarin.
Florian Lamçe nuk ishte i panjohur për autoritetet. Ai kishte qenë më parë i dënuar për pengim të drejtësisë dhe ishte hetuar për plagosje. Gjithashtu, ishte vëllai i Olti Lamçes, i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e biznesmenit Almir Cani në vitin 2012.
Vrasja e Florian Lamçes nuk ishte kontakti i parë i Sokol Sanxhaktarit me organet e drejtësisë. Në vitin 2008, ai u dënua me gjobë për kundërshtim të forcave të rendit. Në vitin 2010 u dënua me tre vite burg për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.
Në vitin 2011 u shpall në kërkim si i dyshuar për plagosjen e Miklajd Llatjas dhe Erion Kardhoshit në Elbasan. Dy të rinjtë më pas tërhoqën akuzat ndaj tij, ndërsa hetimi për plagosjen u pushua.
Një nga episodet më të diskutuara lidhet me tentativën e policisë për arrestimin e tij në mars të vitit 2011.
Policia organizoi një operacion pranë lokalit “Shtëpia e Artit Sejko” në Elbasan, ku Sanxhaktari ndodhej nën shoqërinë e Marjus Lulajt, i njohur si Suel Çela, dhe Anri Kurtit.
Sipas dosjes, sapo iu afruan efektivët për ta shoqëruar, situata degjeneroi në përplasje fizike mes policëve dhe personave që shoqëronin Sanxhaktarin. Në kaosin e krijuar, ai arriti të largohej dhe qëndroi në arrati për rreth gjashtë muaj.
Kur çështja përfundoi në gjykatë, akuzat për kundërshtim të policisë u rrëzuan. Gjykata arsyetoi se efektivët nuk kishin përdorur uniformën zyrtare të Policisë së Shtetit dhe se Sanxhaktari nuk mund të identifikonte me siguri se personat që i ishin afruar ishin punonjës policie. Në vendim u evidentua gjithashtu se një prej xhupave me mbishkrimin “Policia” nuk ishte pajisje zyrtare, por ishte blerë privatisht nga efektivi.
Në fund, ai u dënua vetëm me gjashtë muaj burg për armëmbajtje pa leje, periudhë që përkonte me kohën e kaluar në arrati.
Sokol Sanxhaktari është njohur prej vitesh edhe për shkak të lidhjes familjare me ish-kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini, pasi është dhëndri i tij.
Ky fakt ka bërë që emri i Sanxhaktarit të jetë shpesh në qendër të debatit publik sa herë që është përballur me sistemin e drejtësisë./Shteg.org