
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka hequr masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për Leonidha Çobon, ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë Bankers Petroleum. Sipas njoftimit të GJKKO-së, Çobo e kishte ankimuar këtë masë sigurie më 12 tetor, duke kërkuar rishikimin e saj.
Më 1 prill, ai u lirua nga qelia dhe ndaj tij u caktua masa e sigurisë “detyrim për paraqitje”, ndërsa iu ndalua largimi jashtë vendit. Me vendimin e fundit, ndalimi i daljes jashtë shtetit është hequr, por masa "detyrim paraqitje" mbetet ende në fuqi.
Çobo përballet me disa akuza penale, përfshirë “Krijimin e skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehjen e të ardhurave”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, “Shpërdorimin e detyrës” dhe “Moskryerjen e detyrave nga organet tatimore”.
Sipas prokurorisë, për rreth 20 vite, Bankers Petroleum, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, dyshohet se ka shmangur detyrimet tatimore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej miliona eurosh.
Drejtuesi i Bankers Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa 4 persona u shpallën në kërkim. Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit.
Sipas ligjit aktual, kompanitë e naftës mundet të arrijnë marrëveshje me autoritetet shqiptare me qëllim që të nxjerrin naftë në operacione private, por në këtë rast, tatimi mbi fitimin është në masën 50%. Që nga themelimi në vitin 2004, kompania ka shitur naftë me vlerë 532 miliardë lekë ndërsa ka deklaruar shpenzime në masën 684 miliardë lekë, duke i shtyrë prokurorët të pyesin se cili është motivimi që pronarët e kompanisë vijojnë operacionet kur kompania del në vijimësi me humbje si dhe të ngrenë dyshime nëse pronarët, të cilët mbeten të panjohur, kanë gjetur mënyra alternative për të transferuar fitimet nga kompania.