Dinamo ka triumfuar sot në ndeshjen e fundit të kësaj jave të Kategorisë Superiore, duke mposhtur Elbasanin në “Elbasan Arena” me rezultatin 3-1. Ky është suksesi i tretë radhazi i bluve të Ilir Dajës kundër verdhebluve këtë sezon, duke i konfirmuar ata si një “makth” për ekipin vendas.
Autogoli i Lulajt vendos pjesën e parë
Ndeshja, e vlefshme për javën e 21-të të Superiores, nisi me shumë intensitet. Elbasani u tregua kërkues gjatë pjesës së parë, duke ushtruar presion në sulm. Megjithatë, ishte Dinamo që gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 40’, pas një keqkuptimi mes portierit Abalora dhe mbrojtësit Lulaj, që çoi në një autogol fatal për vendasit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Dinamos, edhe pse balanca e lojës ishte e dukshme.
[video width="550" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/01/678d4f9361983.mp4"][/video]
Pjesa e dytë: Spektakël dhe gola
Emocionet e vërteta erdhën në pjesën e dytë, ku në harkun e vetëm katër minutave u shënuan tre gola. Zabërgja, i cili vazhdon të tregojë klasin e tij, realizoi një gol të shkëlqyer me një goditje precize nga anësoret e zonës, duke e shtangur portierin vendas në minutën e 60’. Goli i tij u shoqërua me një përqafim të ngrohtë për trajnerin Ilir Daja, duke simbolizuar lidhjen e fortë mes ekipit dhe stafit teknik."Elbasani kërkonte të ngushtonte diferencën me katërshen e parë, ashtu si ne që duam të shkojmë drejt objektivit tonë - shpjegoi tekniku Ilir Daja pas ndeshjes -. Janë lojtarët që japin maksimumin në çdo seancë stërvitore dhe jo më në ndeshje. Ana taktike vjen e dyta, që djemtë mundohen të më ndjekin".
[video width="550" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/01/678d595610146.mp4"][/video]
Elbasani u përpoq të reagonte dhe Tsague ngushtoi diferencën me një gol të bukur katër minuta më pas, por momenti u shoqërua me tensione në tribunë. Pamjet treguan përplasje mes tifozëve vendas të grupit “Tigrat Verdheblu” dhe forcave të rendit, duke krijuar momente kaosi.
[video width="550" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/01/678d5bc271478.mp4"][/video]
Mandela vulos fitoren
As koha për të besuar, sepse Dinamo siguroi fitoren përfundimtare në minutën e 65’ falë sulmuesit Itodo Mandela. Golashënuesi realizoi golin e tretë dhe festoi në mënyrë unike me një kërcim të veçantë. Me këtë fitore, Dinamo demonstron forcën e saj dhe pretendentët për titullin e këtij sezoni. "Ne e kishim ndjekur Elbasanin në ndeshjet e kampionatit dhe Kupës. Sigurisht që kishim marrë masat tona për mënyrën se si kishin luajtur. Ishte pak a shumë si ndeshja në Kupë ndaj Teutës. Nuk bëmë ndryshim në vendosje, por në manovër. Problemi është i thjeshtë, Elbasani është qytet kulture. Unë vetë kam dalë kampion në Elbasan dhe kam kaluar një nga pjesët më të mira të karrierës sime”, tha tekniku i bluve Daja.
[video width="550" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/01/678d5a75bb160-1.mp4"][/video]
Lexo më tej: Janjeva e Padstrelau “mbysin” Teutën: Partizani rimerr kreun, Martini bën valixhet
Gjendja e renditjes
Kjo fitore i ngjit dinamovitët në kuotën e 37 pikëve, duke ndarë kreun e tabelës me Partizanin dhe Vllazninë. Nga ana tjetër, Elbasani i trajnerit Gvozdenoviç mbetet në vendin e pestë me 28 pikë, duke pasur nevojë për rikuperim në javët e ardhshme për të siguruar një pozicion më të favorshëm. Një ndeshje që kishte gjithçka: futboll spektakolar, gola, rivalitet dhe emocione deri në fund.