Julian Nagelsmann dukej se ishte emri i duhur për të zëvendësuar Christophe Galtier në pankinën e Paris Saint Germain. Por sipas asaj që bëhet e ditur në Francë, mbërritja në Parc des Princes e ish-teknikut të Bayern Munich dështoi përfundimisht. E tani në pole position për t'u bërë trajneri i ri i kampionëve të shumëfishtë të Francës është një ish-lojtar i tyre Thiago Motta.
Aventura e Christophe Galtier në pankinën e PSG-së praktikisht ka marrë fund. Ish-trajneri i Nice, i cili mbërriti në brigjet e Senës verën e kaluar, nuk ka bindur as drejtuesit dhe as tifozët. Fitorja në Ligue 1 nuk është absolutisht e mjaftueshme për t'i garantuar atij një konfirmim. Madje, ditët e fundit është folur me këmbëngulje për një pagesë të daljes së mirë. Skuadra parisiene duhet t'i garantojë trajnerit 6 milionë euro në rast të një shkarkimi.
I zgjedhuri për të zënë vendin e tij dukej se ishte Julian Nagelsmann. Por sipas L'Equipe negociatat mes trajnerit gjerman dhe klubit francez u ndërprenë papritur me vendim të të dyja palëve. E tani, përsëri sipas asaj që shkruan gazeta sportive, pista më e nxehtë të çon te Thiago Motta.
PSG, MOTTA I PREFERUARI
L'Equipe, dhe të gjitha mediat më të rëndësishme franceze, kanë raportuar se trajneri aktual i Bolonjës, Thiago Motta, është në krye të listës. PSG ka menduar për italo-brazilianin për të zënë vendin e Galtier. Motta e njeh Parisin dhe klubin shumë mirë, duke pasur parasysh të kaluarën e tij si lojtar fillimisht dhe më pas si trajner i të rinjve. Ish-mesfushori duhet të takohet së shpejti me drejtuesit e PSG për të dëgjuar planet e tyre për të ardhmen.
Thiago Motta do të flasë me klubin, do të dëgjojë projektin dhe planet, por një kusht duket se tashmë është vënë në tryezë: Marco Verratti. Mesfushori italian është në shitje pas një jete futbollistike të kaluar nën Kullën Eifel. Paratë saudite janë tërheqëse, por është pikërisht mbi të që Motta dëshiron të ndërtojë lojën e tij. Gjithnjë nëse negociata me PSG shkon mirë.