Thiago Silva ka pasur një karrierë fantastike që e ka lejuar të veshë fanellat e skuadrave më prestigjioze në Evropë. Milan, PSG, Chelsea, pa harruar Brazilin ku ishte edhe kapiten. Ai tashmë po jeton vitet e fundit të karrierës së tij të lavdishme në Londër me fanellën e Blues. Por braziliani ka dashur të ndajë me tifozët e tij një dramë për të cilën ndoshta askush nuk ishte në dijeni.
I intervistuar nga kanalet zyrtare të Chelsea, Thiago Silva rrëfeu një episod dramatik që rrezikoi karrierën e tij si futbollist. Në vitin 2005 mbrojtësi u dërgua në formë huazimi te Dinamo e Moskës. Në Rusi, me Dinamon, ai nuk bëri as edhe një paraqitje. Arsyeja ishte se ai u sëmur nga tuberkulozi dhe rëndë madje: “Ishte një nga periudhat më të këqija të jetës sime. Nuk e dija nëse mund të kthehesha të luaja futboll. U ndjeva keq në fazën përgatitore para se të fillonte sezoni. Mjekët më thanë se kisha tuberkuloz dhe se duhet të bëja një operacion në mushkëri”.
Lexo më tej: Eliminimi nga Kroacia, një plagë ende e hapur për Thiago Silva: “Zemra ime pikon gjak”
"ARRATIA" NË PORTUGALI E KTHESA POZITIVE
Por Thiago Silva nuk donte të bënte një operacion, sepse ishte i vetëdijshëm se karriera e tij do të përfundonte ende pa filluar. Kështu vendosi të kthehej në Portugali, ishte i huazuar te Dinamo nga Porto: “Qëndrova tre muaj në Portugali duke marrë pilula çdo ditë dhe duke bërë shëtitje të gjata. Pastaj pata rastin të flisja me një specialist i cili më tha se mund të qëndroja i qetë. Por sa i qetë mund të ishte në një situatë të tillë? Në vend të kësaj, ai më tha saktësisht atë që doja të dëgjoja: do të kthehesha në futboll dhe do të përmbushja ëndrrën time”.