“Mua më intereson fitorja, jo loja. Duhet falenderuar Abazaj që po luan me një këmbë, ne e dimë që kundërshtari ka një mbrojtje të fortë. Është një fitore e rëndësishme dhe karakteri. I mendojmë ndeshjet një nga një, të vuajmë dhe të marrim fitoret me sakrificë". Orges Shehi është i lumtur për fitoren në Shkodër të Tiranës së tij. Tekniku është imponuar me golin e Abazaj, i treti në dy ndeshje për lojtarin që vjen nga një dëmtim problematik. "Tani në këtë situatë na duhen vetëm pikët - tha Shehi -. Në fillim luanim bukur por nuk kishim pikë, kështu që nuk na intereson loja e bukur. Gjithsecili ka meritën e vet, unë të gjithë lojtarët e mi i konsideroj elitarë, që duan të saldojnë emrin në histori, të mendojnë për të ardhmen dhe jo pagesat. Ata të kërkojnë mentalitetin e fituesit dhe që ta kalojnë tek të tjerët".
Lexo më tej: Video/ Klasike bardheblu: goditja e devijuar e Abazaj fundos Vllazninë, Tirana prek titullin kampion
Tekniku është kthyer të pëmendë problemet financiare të Tiranës, por duke kërkuar një sforco të fundit nga lojtarët e tij. Në fakt, tani të gjithë duan t'i shkojnë deri në fund, pavarësisht ngërcit që vazhdon t'i shqetësojë. Tirana është tani +8 nga Partizani ndjekës e Colella në tribunën e Loro Boriçit nuk është dicka që e turbullon teknikun Shehi: "Nuk e di që ishte Colella, nuk mendoj se ishte e nevojshme të ishte në stadium. E kemi çdo gjë në dorën tonë, nuk mendojmë fare për kundërshtarët”, ngacmoi Shehi në fund.
SEDLOSKI: "TIRANA NUK ËSHTË RASTËSISHT E PARA"
“E kemi parë edhe vetë që nga një gabim i yni i vetëm na kanë shënuar gol. Për këtë arsye futbolli është interesant. Në pjesën e dytë kemi luajtur krejtësisht ndryshe, krijuam shanse, ata u mbrojtën totalisht. Pra i kemi shtyrë pothuajse në pjesën e dytë, krijuam shanse, por topi nuk përfundoi në rrjetë". Goce Sedloski ka provuar edhe humbjen e parë në Superiore, në pankinën e tij të tretë te Vllaznia. Tekniku maqedonas mendon se skuadra e tij ka luajtur më mirë se kundërshtari. I ngacmuar nga gazetarët, Sedloski nuk ka hezituar të debatojë: "Nuk u pa dora e trajnerit? Çfarë të them, pjesën e parë e patë, në të dytën u përpoqëm. Ndoshta kemi parë ndeshje të ndryshme".
Tekniku ka mbrojtur megjithatë lojtarët e tij, duke u përqendruar te Kupa: "Nuk kam hatërmbetje ndaj lojtarëve të mi. Për tre ditë kemi ndeshjen e radhës për Kupën. Duhet të pushojmë shumë dhe të përgatitemi për ndeshjet që kemi deri në fund. Tirana nuk është rastësisht e para".