"Jam e bindur se nëse Stefano nuk do të ishte bërë futbollist nuk do të sëmurej. Ose ndoshta kjo do të kishte ndodhur në pleqëri. Në vend të kësaj ai humbin jetën i ri sepse luante futboll". Për Chantal, gruaja e Stefano Borgonovo, që humbi jetën pas një beteje të gjatë kundër SAA (sklerozës anësore amiotrofike), dyshimet mbeten. Ndarjet nga jeta të parakohëshme të Mihajlovic dhe Vialli vetëm sa i shtojnë. "Gjithçka sjell në mendje ato kujtime dramatike. Unë vihem në krah të grave të tyre, edhe pse nuk i njoh," thotë ajo.
"Rruga jonë është e ngjashme – u shpreh ajo në një intervistë për Il Giorno -. Bashkëshortët tanë bënë të njëjtën punë. E kjo më shtyn të reflektoj, edhe mbi historinë time". "Veçanërisht SAA ka prekur shumë futbollistë gjatë viteve, në moshë të re apo të rritur. Statistikat dhe kërkimet, madje edhe ato më të fundit, e vërtetojnë këtë. Nëse Stefano do të kishte bërë një jetë tjetër, ai nuk do të ishte sëmurë. Fatkeqësisht arsyeja është se askush nuk e di”, vijoi Chantal.
DYSHIMET E ALUDIMET
"Kam vite që pres përgjigje. Në kohën kur Stefano luante, gjithçka që kishte të bënte me menaxhimin shëndetësor i ishte besuar mjekut të ekipit të cilit Stefano i besonte. E di që im shoq nuk ka marrë kurrë vullnetarisht ilaçe të çuditshme. Ka marrë vetëm ndonjë gjë nën monitorim të personelit mjekësor nëse i është sugjeruar”. Megjithatë, pas vdekjes së Mihajlovic dhe Vialli, shumë atletë thyen murin e heshtjes duke rrëfyer frikën e tyre.
"Një gjë është e sigurt: ata ishin të të njëjtit brez si Stefano ose të brezit pasardhës. Kështu që njiheshin duke qenë se kishin bërë të njëjtën punë. Ky është një mjedis shumë i kufizuar. Sigurisht që ata rihapën një çështje të cilën, megjithatë, e shoh të mbyllur, po aq shpejt. Sigurisht që e shoh që është e bezdisshme të flasësh për këtë. Nuk e di nëse varet më shumë nga interesat ekonomike apo diçka tjetër. Por është e drejtë të kujtojmë se të gjitha hetimet për këto sëmundje janë bërë nga studiues, jo nga bota e futbollit”, thotë gruaja e Stefanos.