Kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Edit Harxhi akuzon selinë blu se nuk i kanë vendosur në dispozicion listën e anëtarëve të partisë që kanë të drejtë që të shprehin nesër vullnetin e tyre për liderin e partisë për 4 vitet e ardhshme.
"Lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjes për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, konstatoj me shqetësim se:
- Përfaqësuesit e kandidatëve për kryetar, përfshirë dhe përfaqësuesin tim si audit i të dhënave kompjuterike, z. Irel Elezi, nuk janë lejuar të kontrollojnë në sistem listën e antarësisë, me të cilën do votohet në dt. 13 qershor 2021;
- Deri tani, ora 16:00 dt. 12 qershor 2021, unë, si një nga kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, ende nuk jam pajisur me listën e antarësisë me të drejtë vote.
Gjykoj se sa më sipër mund të ndikojë dhe të dëmtojë besueshmërinë dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor", tha Harxhi.
Në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor.