Kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë”, Qamil Xhani u ndalua nga policia në derën e redaksisë ku punon. Sipas kësaj gazete ai ka qenë duke filmuar forca të policisë që po dhunonin 2 minorenë. Forcat e rendit nuk e kanë lejuar dhe i kanë vënë prangat edhe pse ua ka sqaruar se është gazetar.
Policia nuk ka ndërruar mendim edhe pse në mbrojtje të tij kanë dalë edhe kolegë të tjerë. Sipas “Koha Jonë” forcat e policisë e kanë futur me dhunë në makinë kryeredaktorin duke e goditur në kokë dhe shpinë. Të njëjtat burime thanë se botuesi Nikoll Lesi ka telefonuar menjëherë drejtorin e policisë së shtetit Ardi Veliu duke i sqaruar situatën dhe duke i kërkuar sqarime për ngjarjen.
Mësohet se celularin e kryeredaktorit policia e ka marrë dhe ka fshirë pamjet. Ai u la i lirë pas rreth 30 minutash ndërsa rrëfeu se “në komisariat ku po kërciste druri mbi të ndaluarit”. Ky është rasti i dytë që ndalohet një gazetar pas Xhoi Malësia të RTV Ora. Për këtë situatë shoqatat e gazetarëve dënojnë sjelljet agresive të policisë ndaj punonjësve të medias në krye të detyrës. ©LAPSI.al







