Ambasada amerikane ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në një postim të publikuar në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, përfaqësia diplomatike e SHBA-ve në Tiranë shkruan se dënimi i Tahirit me 5 vjet shërbim prove, që reduktohet në vetëm 3.4 vjet për arsye të pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar, është shkurajues. Në këtë cilësim, ambasada bazohet në marrjen në konsideratë të tri akuzave të rënda për të cilat akuzohej ish-ministri.
“Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mire.”- shkruhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës.
Pas një seance maratonë ditën e djeshme, Krimet e Rënda gjykuan se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk ishin të mjaftueshme për të mbështetur pretencën e dhënë ku kërkoheshin 12 vjet burg për ish-ministrin, që do të reduktoheshin në vetëm 8 vjet, për arsye të pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar.
Tahiri akuzohej për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
REAGIMI I AMBASADËS AMERIKANE NË FB:
Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë.