Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të parashikuara për t’u mbajtur më 13 tetor, me ose pa Ramën kryeministër.
Kështu deklaron kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila në një intervistë të dhënë për “News24”, deklaroi se forca politike që drejton nuk do t’i kushtëzojë zgjedhjet dhe se “e vetmja zgjidhje është përballja me shtetin e kapur nga Edi Rama”.
“Ne si LSI nuk kushtëzojmë asnjëherë momentin e zgjedhjeve, sepse ne mendojmë që zgjedhjet janë i vetmi instrument që në një farë mënyre do të zhbëjë të gjithë këtë nyje të lidhur keqas, për shkak të mosfunksionimit të gjykatave, për shkak të mosfunksionimit të sistemit, të demokracisë.”- është shprehur Kryemadhi.
Dekreti i kreut të shtetit, Ilir Meta, sipas të cilit 13 tetori përcaktohet si datë kushtetuese për zhvillimin e lokaleve, nuk është pritur me një reagim pajtues unitar mes krerëve të partive të opozitës së bashkuar joparlamentare. Kështu, LSI-ja, Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambientaliste, dorëzuan me 5 gusht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje, ndërkohë që në kahun tjetër, nuk vepruan në mënyrë të njëjtë kreydemokrati Lulzim Basha me aleatët e tjerë. Në këndvështrimin e Kryemadhit, përballja në zgjedhje është e domosdoshme, “pavarësisht ligjëratës politike që ngre kryetari i PD-së dhe kryetari i opozitës që me një qeveri tranzitore dhe pa Ramën kryeministër”.
“Në votimet e 30 qershorit, shqiptarët i dhanë një përgjigje jashtëzakonisht të madhe jo vetëm maxhorancës ku i thanë se e bojkotuan në 85%, po i dhanë edhe një përgjegjësi shumë të madhe opozitës, ku i thanë që 85% e tyre iu përgjigjën aksionit politik të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet moniste të Edi Ramës.”- tha Kryemadhi .
Si arsye për mosregjistrimin në zgjedhje, eksponentët e tjerë të opozitës kanë artikuluar se beteja e tyre nuk ishte për të fituar disa muaj kohë, por për të larguar Ramën nga pushteti me zgjedhje të lira e të ndershme. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, është shprehur se 13 tetori nuk i përmbushte kërkesat e opozitës. I njëjti shpjegim është dhënë edhe nga lideri i opozitës Basha, i cili ka përsëritur se largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore, që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, janë kushte të panegociueshme për pjesëmarrjen e opozitës në garat elektorale.