Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve po diskutohet kërkesa e 55 firmëtarëve të nismës së mazhorancës për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pas vendimit të tij për të çdekretuar 30 qershorin si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Mbledhja po zhvillohet në mungesë të kreut të shtetit, i cili ka zgjedhur t’i ktheje Komisionit përgjigje me shkrim.
Deputeti i bërë pjesë e Kuvendit nga lista shumëemërore e Lëvizjes Socialiste për Integrim pas vendimit të opozitës së bashkuar joparlamentare për djegien e mandateve, Ralf Gjoni, e cilësoi si të nxituar vendimin për shkarkimin e Metës, duke theksuar se procedura që po ndiqet është një lojë politike. “Mendoj se është i nxituar vendimi për të shkarkuar presidentin, pasi ende nuk kemi të bëjmë me një akt për të delegjitimuar Parlamentin. Mua më duket se kjo procedurë shkarkimi është një lojë politike që ju po bëni dhe është e pabazuar në Kushtetutë. Është një lojë që po hapet për të bërë zhurmë mediatike”, u shpreh Gjoni.
Ndërkaq, sipas deputetit të Partisë Socialiste, Bashkim Fino, vendimi i Metës përbën shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës. “Presidenti ka marrë një copë letër, ka shkruar çfarë ka dashur dhe i ka vendosur emrin dekret. Ajo që më bën përshtypje është letra që presidenti i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë për argumentet e ç’dekretimit. Gjuha e përdorur prej tij është ironike, paragjykuese dhe hipokrite. Jemi përpara një shkelje të nenit 92 të Kushtetutës dhe me dhimbje kemi marrë këtë masë që po ia paraqesim Parlamentit”, tha Fino.