Kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrës, imzot George Frendo u ka bërë thirrje politikanëve shqiptarë që të distancohen nga beteja e ashpër e ndërmarrë, për të vepruar paqësisht në interes të vendit. Frendo u shpreh një ditë para protestës së lajmëruar opozitare se tanimë ka ardhur koha që të hapin një kapitull të ri për hir të qytetarëve, të cilët e duan dhe punojnë për tokën mëmë.
“Ju lutemi që të tregoni dashuri më të madhe ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke na treguar që me vendosmëri kërkoni një zgjidhje serioze e paqësore për këtë situatë, duke shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqeje më të madhe. Paqja e vërtetë nuk do të thotë të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë, nëse nuk ndërtohet mbi drejtësi e vërtetë.Harroni fjalët e forta që ju keni drejtuar kundërshtarëve. Harroni fjalët që kundërshtarët ju kanë drejtuar…”– tha imzot George Frendo.