Ka pasur një moment tensioni në protestën e artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Gjithçka ka ndodhur kur po mbante fjalën e tij arkitekti, Maks Velo. Ai iu drejtua njërit prej protestuesve me fjalën “palaço” për shkak se në fjalën e tij para Velos tha: “Ashtu siç thoshte dhe kryetari i Kuvendit shqiptar në Lushnjë, që pushteti buron nga gryka e pushkës dhe mbrohet me grykën e pushkës. Zgjidhja është vetëm një kryengritje e armatosur, për të rrëzuar këta, sepse mënyrë tjetër nuk ka”.
Këto fjalë kanë shkaktuar reagimin e Velos.
“Kemi ardhur të mbrojmë teatrin, jo të bëjmë luftë siç tha ai palaçua atje (drejton gishtin te një prej protestuesit). Ta mbrojmë në mënyrë demokratike. Ajo që është më e rëndësishme është se ata se tregojnë projektin. As në Parlament nuk e treguan.
Le ta vënë këtu dhe ta shohim. Pse se sjellin? Pse se treguan në seancë parlamentare? Se është një katastrofë dhe e dinë se është një urë me teatër sipër. Të tregojnë projektin, do qëndrojmë në mënyrë demokratike jo me luftë”, – shtoi Velo duke kundërshtuar fjalët e protestuesit që pretendonte se duhet luftuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Njëra nga protestueset iu drejtua Velos: “Pse përdore një fjalor të tillë?” Këtë episod e ka komentuar edhe Ervin Goci.
"Të respektojmë njeri-tjetrin dhe të mos anatemojmë. E kuptoj shumë mirë ç’thotë zoti Velo, po kemi 5 muaj me këtë situatë. Është takuar kryeparlamentari Ruçi, Presidenti Meta… S’ka mbet askush për tu takuar dhe përgjigjet kanë qenë “zero”. Na thonë: “Ikni vdisni se merremi ne me këtë punë” -tha Goci.