Flash

"The Albanian Files": Portrete luksoze mbi nje trup pa kocka

Kjo nuk është arkitekturë. Kjo është paçavure teknike që kërkon të shitet si vizion botëror.

Lapsi.al 1 July 2026

Nga Astrit Nixha

Ditët e fundit është folur shumë për botimin "The Albanian Files". Për dikë ai është një katalog suksesi, për një tjetër një dëshmi e "dashurisë" së politikës për arkitekturën. Por, si arkitekt me mbi tri dekada ballafaqim profesional me injorancën, unë e lexoj ndryshe: ai është dokumenti i një nëpërkëmbjeje sistematike të profesionit dhe një iluzion i rrezikshëm që fsheh dështimin e shtetit për të ndërtuar qytet. 

Personalisht, mendoj se disa prej këtyre projekteve nuk do të kishin marrë as notë kaluese në vitet e para të studimeve në shkollat tona të arkitekturës.

Une them se "jeta është e përsosur për shkak të papërsosmërive të saj". Por sistemi shqiptar i planifikimit ka një lloj "papërsosmërie" që nuk prodhon arkitekturë, por kaos të ligjëruar.

Zinxhiri i këputur i mirëqenies 

Hierarkia e instrumenteve të planifikimit në Shqipëri rregullohet me Ligjin 107/2014. 
Nga Plani Kombëtar (PKT) e deri te Planet e Detajuara Vendore (PDV), parimi është i qartë: çdo dokument i nivelit më të ulët duhet të jetë në përputhje të plotë me atë sipër tij. Ky është "Rregulli i Artë" që garanton harmoninë e zhvillimit. 

Por në realitetin që na shpërfaq "The Albanian Files", ndodh një "rrugë e shkurtër" akademike dhe ligjore. Kur një "star-arkitekt" ulet me një Kryeministër apo me drejtues të AZHT-së dhe merr një "bekim" për një kullë, zinxhiri i ligjshëm i planifikimit këputet. Arkitektura këtu nuk vjen si pasojë e një nevoje urbane të studiuar, por si një ndërhyrje e izoluar që injoron peizazhin social dhe ligjor.

Arkitektura nuk është dekorim fasade

Shteti ka një detyrë që nuk e kryen me asnjë 3D vizualizim: Sigurimin e infrastrukturës. 

Ligjërisht, një leje ndërtimi nuk është thjesht një e drejtë për t’u ngjitur në lartësi. Ajo është një kontratë ku shteti garanton se ai objekt ka ujë, ka kanalizim, ka rrugë, ka kopshte dhe shkolla për banorët, transport, shendetesi, siguri, etj, tij.

Në Shqipërinë e "The Albanian Files", ne po shohim portrete luksoze të ndërtuara mbi një trup pa kocka. Po ndërtohen kulla mbi 40-katëshe në zona ku rrjeti i kanalizimit i përket viteve '70, ndërsa për presionin e ujit më mirë të mos flasim fare. Po ndërtohen resorte në zona të mbrojtura, duke injoruar Planet Sektoriale Kombëtare. Kjo nuk është arkitekturë; kjo është paçavure teknike që kërkon të shitet si vizion botëror.

Kompleksi i inferioritetit, Miti i "Star-Arkitektit" dhe e Drejta e Autorit

Përdhunimi i vërtetë profesional ndodh kur arkitekti lokal, ai që i njeh këto ligje, që e di ku pikon rrjeti i ujit dhe ku mungon shkolla, përjashtohet me pretekstin e famshëm "nuk din ti". 

"Yjet" e ftuar shpesh shërbejnë si një maskë prestigji për të legjitimuar projekte që kanë probleme me transparencën, kapitalin, apo përputhshmërinë ligjore. Ata vizatojnë "Portretin" (godinën), ndërsa ne na mbetet të merremi me "Peizazhin" e rrënuar të një qyteti që po mbytet në zhurmë dhe mungesë standardesh. Si mund t'i kërkosh një arkitekti shqiptar të respektojë koeficientët, kur sheh se si "miqtë e shtëpisë" i kalojnë ato me një të rënë të lapsit mbi hartën e Tiranës? 

Këtu arrijmë te një "fshehtësi publike" që ky botim e injoron tërësisht. Sipas ligjit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë lëshon licencat profesionale për projektim në territorin e Republikës së Shqipërisë. "Star-arkitektët", që të punojnë ligjërisht këtu, duhet të pajisen me licencë përmes nostrifikimit të licencave të tyre nga shtetet përkatëse. 

Në realitet, eshte fsheftesi publike se shumica e këtyre projekteve janë nënshkruar nga arkitektë lokalë, të cilët shpesh figurojnë vetëm si "bashkëpunëtorë" ose mbeten në hije. Nëse këto projekte janë nënshkruar nga arkitektë shqiptarë, atëherë i gjithë botimi "The Albanian Files" është një rast flagrant ku e drejta ligjore dhe autoriale e arkitektit vendas është perbuzur nga të ashtuquajturit "yje". 

Ligjërisht, e drejta autoriale i takon atij që nënshkruan projektin dhe mban përgjegjësinë teknike para ligjit, dhe asnje lloj kontrate nuk e tjeterson te drejten autoriale.
Përdhunimi i vërtetë profesional ndodh kur arkitekti lokal përjashtohet me pretekstin e famshëm "nuk din ti", ndërsa "yjet" përdoren si maskë prestigji për të legjitimuar projekte që kanë probleme me transparencën apo përputhshmërinë ligjore.

Përfundim 

"The Albanian Files" nuk është arkitekturë. Është manifesti i një mjedisi të kontrolluar ku pushteti dhe kapitali takojnë dizajnin për të anashkaluar shoqërinë. Përpara se të festojmë edicionin e radhës të festivalit "Bukë e Zemër", do të ishte mirë të pyesnim: Ku është kripa e ligjit? Ku është shija e dinjitetit të profesionistit vendas? 

Një shtet që nuk siguron infrastrukturën bazë, por jep leje për kulla "ikonike", është një shtet që nuk planifikon mirëqenien, por menaxhon iluzionin. Dhe siç e kam thënë edhe më parë: "Autobusi nuk iku. Arroganca e mosdijes dështoi të planifikoje." ©Lapsi.al 

Të këshilluara

ide

A do prodhojë protesta të njëjtat pasoja si për Vuçiçin?

Shqipëria ka shansin që të vazhdojë rrugëtimin që po e bën Serbia me lëvizjen studentore dhe ta ripërsërisë formën e pushtetit apo që të përbashkojë energjitë e të gjithëve-Qeveri, SPAK, BE, Lëvizja Flamingo-drejt një caku tjetër

09:18 Veton Surroi

MOTI TIRANA

35°c

KËMBIMI EURO

94.03

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI