
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar se do të bëjë një hap pas përballë lëvizjes së studentëve që prej një viti e gjysëm kërkojnë rrëzimin e regjimit të kontrolluar nga partia e tij. Në një tubim të madh proqeveritar në Beograd, përballë mbështetësve të sjellë nga e gjithë Serbia, presidenti serb tha se do të qëndrojë në detyrë vetëm edhe për pak javë.
“Do të jem president vetëm edhe për disa javë, pastaj do të jap dorëheqjen”, deklaroi Vuçiç.
Tërheqja e Vuçiçit nuk do të thotë se ky po largohet nga politika. Ai do të vazhdojë të udhëheqë Partinë Përparimtare Serbe, SNS, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa kësaj radhe lista e pushtetit do të garojë me emrin “Serbia e Bashkuar”.
“Do të fitojmë më bindshëm se kurrë më parë”, u tha ai mbështetësve.
Ajo që mbetet e paqartë pas njoftimit për dorëheqje janë afatet institucionale: Vuçiç nuk tha se kur do të japë saktësisht dorëheqjen, as kur do të shpërndajë parlamentin, kusht i domosdoshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në raportimin e Reuters lëvizja shpjegohet si një manovër që mund ta zhvendosë Vuçiçin nga Presidenca drejt një posti më ekzekutiv.
“Vuçiç nuk ka gjasa të largohet nga skena politike, pasi dorëheqja e tij mund t’i hapë rrugën që të bëhet kryeministër nëse partia e tij triumfon në zgjedhjet parlamentare”, shkruan Reuters.
Agjencia e sheh dorëheqjen si pjesë të modelit të gjatë të pushtetit personal të Vuçiçit në Serbi.
“Kjo do të vazhdonte një prirje të gjatë, sipas së cilës pushteti në Serbi ndjek Vuçiçin, pavarësisht titullit të tij”, thekson Reuters.
Me gjasë Serbia është pranë riciklimit të Vuçiçit. Nëse largohet nga Presidenca, ai mund të rikthehet si kryeministër. Në sistemin politik serb, ku pushteti real varet nga kontrolli mbi partinë, mediat, institucionet dhe rrjetet e patronazhit, titulli mund të ndryshojë, por qendra e komandës mund të mbetet e njëjtë.
Reuters citon analistin Radivoje Grujiç, i cili e përmbledh qartë këtë interpretim:
“Ky nuk është aspak fundi i Vuçiçit. Ai tashmë ka një plan, një plan që sigurisht nuk do të thotë se do të dalë në pension politik, përkundrazi”.
Al Jazeera e vendos paralajmërimin e dorëheqjes në sfondin e presionit të protestave studentore. Sipas saj, lajmi vjen “në sfondin e muajve të tërë protestash masive antiqeveritare të udhëhequra nga studentët, të cilat kanë tronditur vendin”.
Këto protesta nisën pas tragjedisë së Novi Sadit, ku shembja e një strehe në stacionin hekurudhor vrau 16 persona. Për studentët, opozitën dhe organizatat e të drejtave, kjo ishte pasojë e një sistemi ku korrupsioni, tenderat, ndërtimet publike dhe pandëshkueshmëria janë kthyer në model qeverisjeje.
Al Jazeera kujton se qindra persona janë ndaluar gjatë protestave dhe se policia serbe është akuzuar nga Bashkimi Europian për “përdorim të tepruar të forcës dhe arrestime arbitrare”.
Euractiv e lexon tubimin e Vuçiçit si një hapje de facto të fushatës së pushtetit. Sipas saj, tubimi me sloganin “Serbia, Një Familje” shihet gjerësisht si nisja e fushatës së SNS-së dhe si kundërpërgjigje ndaj protestave studentore.
Në këtë kuptim, dorëheqja e paralajmëruar është një përpjekje për të marrë sërish iniciativën politike. Vuçiç po përpiqet ta kthejë krizën nga rruga në kuti votimi, nga protestë në betejë elektorale të organizuar prej tij.
Megjithatë, fakti që Vuçiç po paralajmëron dorëheqje para përfundimit të mandatit tregon se protestat kanë prodhuar efekt politik dhe këtu ka një dallim domethënës me Shqipërinë.
Në Serbi, pas 12 vitesh në krye të qeverisë ose shtetit, Vuçiçi ka zgjedhur të shpallë dorëheqjen dhe të kërkojë një mandat të ri përmes zgjedhjeve të parakohshme. Mediat ndërkombëtare bien dakord për një pikë: lëvizja e tij është përgjigje ndaj 18 muajve presion politik dhe protestash studentore që kanë ndryshuar ekuilibrin e brendshëm.
Në Shqipëri, tabloja është krejt tjetër.
Edi Rama po hyn në vitin e 13-të si kryeministër dhe nuk ka dhënë asnjë sinjal se do ta vërë në diskutim mandatin e tij për shkak të protestave, krizave politike apo skandaleve të tmerrshme që ka prodhuar pushteti i tij. Përkundrazi, përgjigjja e tij ka qenë vazhdimisht se mandati i qeverisë buron nga zgjedhjet dhe se protestuesit që kërkojnë dorëheqjen mund të shkojnë të q..hen./Lapsi.al