
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin mbi situatën e zjarreve në territorin e vendit, duke bërë me dije se deri në orën 20:00 gjendja paraqitet e përmirësuar dhe pa rrezik për zonat e banuara. Mësohet se, nga 26 vatra të raportuara gjatë ditës, 14 janë shuar plotësisht, 6 janë nën mbikëqyrje dhe 6 të tjera mbeten ende aktive.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 311 forca operacionale dhe 16 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjen me 70 efektivë, 3 helikopterë, një mjet zjarrfikës dhe një ekskavator të rëndë.
Në zonën e Pukës, situata ka njohur përmirësim të ndjeshëm, ku zjarri është shuar në Gjegjan e Gojan, ndërsa vatra në Prozhëm është drejt shuarjes. Në Fushë-Arrëz dhe në malin e Dajtit, puna vijon në terren të vështirë për izolimin e vatrave, ndërsa vatrat aktive mbeten në Ballenjë e Qafën e Helmës në Dibër, si dhe në malin e Luzatit në Tepelenë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) konfirmon se strukturat mbeten në gatishmëri të plotë me prioritet mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, ndërsa disa vatra në Lezhë, Elbasan dhe Vlorë janë shuar.
Ministria e Mbrojtjes, përditësim mbi situatën e zjarreve:
"Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë ditës së sotme, deri në orën 20:00, situata e zjarreve paraqitet e përmirësuar dhe pa rrezik për zonat e banuara. Janë raportuar 26 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive, 6 janë nën mbikëqyrje dhe 14 janë shuar. Në operacionet e ditës janë angazhuar 311 forca operacionale dhe 16 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës, 1 ekskavator të rëndë dhe 3 helikopterë.
Në Pukë, situata në zonën e Tërbunit–Gojanit–Gjegjanit është përmirësuar ndjeshëm. Zjarri është shuar plotësisht në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh, ndërsa vatra në Prozhëm vijon me intensitet shumë të ulët dhe është drejt shuarjes. Në operacion janë angazhuar forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, strukturave vendore, vullnetarë dhe 40 efektivë të FA-së, me mbështetje nga toka dhe ajri.
Në Gojdan, Fushë-Arrëz, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e një vatre në sipërfaqe pyjore, me angazhim të strukturave vendore, MZSH-së, Policisë, vullnetarëve dhe 1 helikopteri të FA-së. Nuk ka rrezik për banesat.
Në Dajt vatrat vijojnë aktive në terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës janë angazhuar 30 efektivë të FA-së dhe 30 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga 1 helikopter i FA-së. Vatra aktive raportohen gjithashtu në Ballenjë dhe Qafën e Helmës në Dibër, si dhe në malin e Luzatit në Tepelenë, ndërsa një sërë vatrash të tjera në Lezhë, Elbasan dhe Vlorë janë shuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.", njofton Ministria./LAPSI.al