Flash

I dyshuari për krime lufte në Zubin Potok thotë se u rrah nga policia

Lapsi.al 12 August 2026

Avokati Nebojsha Vllajiq ka ngritur disa pretendime, duke thënë se zyrtarët policorë kanë keqtrajtuar dhe kanë ushtruar dhunë fizike gjatë arrestimit të Jugosllav Radojeviçit, i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile.

Jugosllav Radojeviq po dyshohet lidhur me varrezat e dyshuara masive që janë gjetur në zonën e Zubin Potokut, ku janë duke u kryer gërmime në kërkim të mbetjeve mortore të civilëve të vrarë gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Këto prentendime, Vllajiq i ka thënë në seancën për caktimin e masës së sigurisë, të mbajtur më 03.08.2026 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas avokatit Vllajiq, Radojeviç është rrahur gjatë arrestimit nga zyrtarët policorë, në shtëpinë e tij si dhe në makinën me të cilën është transportuar.

Madje, Vllajiq ka thënë se të mbrojturit të tij në mbajtje, nga stafi mjekësor i është dhënë një ineksion.

Avokati ka pretenduar se ky ineksion i është dhënë kundër dhimbjeve që i mbojturi i tij i ka pësuar nga dhuna fizike e shkaktuar nga zyrtarët policorë.

Avokati më tej ka thënë se në stacionin policor të mbrojturit të tij, nuk i është lejuar ta telefonojë familjen, edhe pse ai kishte kërkuar një gjë të tillë.

Sipas avokatit, kjo ka ndodhur me qëllim që të mos zbulohet se Radojeviç është rrahur.

Më tej Vllajiq, i ka kërkuar Gjykatës që të urdhërojë një kontroll mjekësor për të mbrojturin e tij, përmes të cilit do të konstatohej se çfarë lëndimesh ka pësuar.

Lidhur me këto pretendime KALLXO.com ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinë se a kanë urdhëruar kontrollë mjekësore për Jogusllav Radojeviçin për t’i konstatuar pretendimet e mbrojtjes.

Mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigjje.

Në një përgjigjje për KALLXO.com për këtë çështje, nga Prokuroria Speciale kanë thënë se rasti është në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

“Rasti për të cilin keni adresuar pyetje, është në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.”- ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësja e PSRK-së Arbnora Luta.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Inspektoriatin Policor të Kosovës, për pretendimet e ngritura ndaj zyrtarëve policorë, nëse të njejtit kanë pranuar ankesë apo kanë filluar ta trajtojnë rastin.

Mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi, KALLXO.com nga IPK nuk ka pranuar përgjigje.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore në Prishtinë më 03.08.2026 i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji Jugosllav Radojeviçit.

Radojeviç  u arrestua nga Policia e Kosovës më 02.08.2026 si i dyshuar për krime lufte në lidhje me rastin e Zubin Potokut.

Më 28.07.2026 Prokuroria Speciale kishte kërkuar që në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut të fillonin gërmimet mbi dyshimin për një varrezë masive me mbetje mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.

Në lidhje me këtë fillimisht janë arrestuar dy persona të tjerë.

Për arrestimin e Radojeviçit, Prokuroria Speciale në komunikatën e lëshuar më 02.08.2026 kishte bërë të ditur se ai është arrestuar pas një pune intensive hetimore me qëllim të zbardhjes së rasteve që lidhen me krime lufte.

“Arrestimi i të dyshuarit është rezultat i një pune intensive hetimore, të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Nga njoftimi i Prokurorisë Speciale të datës 01.08.2026, procesi i gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut është akoma në fazën e hetimeve.

Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Arbnora Luta, në një deklarim për media më 01.08.2026 ka thënë se deri më tani janë lëshuar mbi 10 urdhra për zhvarrosje në kuadër të verifikimeve hetimore që po zhvillohen në këtë lokacion.

Megjithatë, ajo kishte thënë, se është ende herët për të folur për rezultatet e gërmimeve apo për numrin e mundshëm të personave që mund të jenë varrosur në këtë lokacion.

Pretendimet e Prokurorisë Speciale

Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Radojeviq gjatë Luftës në Kosovë, më 19.04.1999, së bashku me persona të tjerë të njohur për Prokurorinë, si pjesëtar i Mbrojtjes Territoriale Ushtarake, i cili ka qenë i mobilizuar në fshatrat e Zubin Potokut, konkretisht në fshatin Kalludër e Vogël, kanë ndaluar një grup prej 23 civilësh shqiptarë, të cilët ishin duke u përpjekur të shkonin në Mal të Zi për të shpëtuar nga lufta.

Sapo i kanë ndaluar, i kanë plaçkitur, maltretuar dhe, në fund, i kanë ekzekutuar.

Bëhet fjalë për: Adem Ademin, Demir Ahmetin, Idriz Rrecin, Adem Beqirin, Hasan Dervarin, Sahit Baranin, Fatmir Fazliun, Ali Halitin, Bekim, Naser, Sali, Samir, Selim, Shaqir, Tahir, Xhemajl, Xhevdet dhe Zymer Meziun, Faton, Mahit, Nazmi, Shaip dhe Shkelzen Ujkanin, të cilët ende konsiderohen të zhdukur.

Pastaj, siç thuhet në dokument, në bashkëkryerje me të dyshuar të tjerë të identifikuar, i kanë varrosur viktimat në fundin e një livadhi, në vendin e quajtur Melaja në Kalludër të Vogël, afër lumit, me qëllim që t’i fshehin gjurmët e krimit.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, më 18.04.1999 janë vrarë me armë zjarri edhe Sami dhe Sadete Feka, Deli Isufi dhe Rabije Isufi.

Prokuroria thotë se pasi i kanë vrarë, në bashkëkryerje me të dyshuar të tjerë të identifikuar, viktimat i kanë varrosur në fshatin Jabukë të së njëjtës komunë.

Prokuroria Speciale më tej pretendon se dëshmitarin Muharrem Feka e kishin ndarë nga grupi, ku fillimisht e kishin sulmuar fizikisht e pastaj e kishin urdhëruar që t’i vinte duart prapa në kokë dhe të vazhdonte në drejtim të malit.

“Të pandehurit kanë shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit, të cilit i shkaktojnë plagë në kokë dhe kraharor ku në atë moment viktima rrëzohet dhe humb vetëdijën por i dëgjon krismat e armëve”- thuhet në aktvendim.

Pastaj, kur Fekës i ishte kthyer vetëdija, kishte vërejtur se bashkudhëtarët, respektivisht familjarët e tij, nuk ishin aty, madje as Policia nuk ishte në vendin e ngjarjes.

I njëjti, siç thotë Prokuroria Speciale, kishte vazhduar në gjendje të rëndë, duke u futur në male dhe duke vazhduar rrugën deri në fshatin Germov, ku kishte marrë ndihmën e parë nga kushërira e tij, e cila me profesion ishte teknike medicinale.

“Faktet e përmendura vërtetohen me prova personale përkatësisht nga deklaratat e dëshmitarëve: Fadil Ademi, Sadik Kajtazaj dhe Muharrem Feka si dhe të familjarëve të viktimave, të cilat dëshmi i kanë ofruar të dhëna relevante të qarta për veprimet inkriminuese të të pandehurve të cilët përshkruajnë saktë autorët, mënyrën dhe pasojat e veprës penale”- thekson Prokuroria sipas vendimit të Gjykatës së Prishtinës.

Gjyqtarja Medie Bytyçi ka vlerësuar se nëse i pandehuri lihet në liri mund të ikë në Republikën e Serbisë, ku edhe e ka shtëpinë.

Për më tepër, siç thotë Gjykata, Republika e Serbisë nuk bashkëpunon me atë të Kosovës në çështjen e dorëzimit të shtetasve të saj dhe kjo, sipas njoftimit, krijon rrezik real që, në rast të lirimit, autoritetet e drejtësisë në Kosovë të mos kenë mundësi ta sigurojnë praninë e tij në procedurë.

“Duke pasur parasysh natyrën dhe peshën e veprës penale, për të cilin ngarkohet si dhe dënimin e lartë të paraparë për këtë vepër penale, ekziston rreziku konkret që i pandehuri, me qëllim të shmangies të ndjekjes penale, të largohet dhe t’i ikë drejtësisë”- theksohet në arsyetimin e Gjykatës.

Gërmimet në Zubin Potok

Disa ditë rresht janë kryer gërmime edhe në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, ku, siç kishte mësuar KALLXO.com, ishin gjetur disa mbetje mortore.

Gërmimet kanë vazhduar edhe në fshatin Jabukë, ku në orët e vona të së hënës janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave.

Vlerësimet fillestare, sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, tregonin se ato u përkasin viktimave të zhdukura me forcë gjatë luftës.

Më 28.07.2026, Prokuroria Speciale kishte kërkuar që në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut të fillonin gërmimet, nën dyshimin për një varrezë masive me mbetje mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.

Në lidhje me këtë rast, fillimisht ishin arrestuar dy persona. Ndërkaq, edhe një i dyshuar tjetër u arrestua nga Policia e Kosovës më 02.08.2026, si i dyshuar për krime lufte.

Procesi i gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut është ende në fazën e hetimeve.

Më 04.08.2026, hetimet për mbetje mortore në Zubin Potok janë zgjeruar edhe në një lokacion të tretë.

Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk ka dhënë informacione të mëtejshme.

Për gërmimet në Zubin Potok dyshohet se bëhet fjalë për 23 intelektualët, të cilët, sipas rrëfimit të familjarëve për KALLXO.com, janë zhdukur para 27 vitesh në këtë zonë.

Ndërsa më 07.08.2026 janë identifikuar dhe konfirmuar mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë në lokacionin e tretë të dyshuar në Zubin Potok.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës thuhet se në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave.

“Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional”- thuhet në komunikatën e PSRK-së./Kallxo.com

Të këshilluara

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

40°c

KËMBIMI EURO

93.01

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI