
Publicisti Fatos Lubonja tha se nuk ka vend për entuziasëm në faktin se SPAK ka regjistruar një procedim penal për librin "Albanian Files". Në një intervistë në emisionin Minuta e parë në News24, Lubonja tha se nëse SPAK ka kohë që e ka regjistruar procedimin penal, atëherë duhet ta kishte thirrur Ramën të paktën si person në dijeni, por kjo nuk ka ndodhur.
“Nuk është lajm që mund të na entuziazmojë, sepse hapja e hetimeve është pas datës 20 e ca gusht kur është bërë denoncimi dhe është bërë në shtator. Tani jemi në nëntor. Unë s’kam parë që t’i bëhet thirrje Ramës, qoftë edhe për marrje në dijeni. Keni parë gjë ju? Jo! Mund të jetë gjë formale nga SPAK, sa për të larë gojën. SPAK-ut i duhet kujtuar se drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Çfarë pret SPAK? Që të na vërë tani pas gazit lotsjellës, pas hunjve dhe pas makinave që hedhin ujë me piper, pas gjobave dhe gjithë dhunës, çfarë pret, që të na vendosi ushtrinë përpara që të mbrojë veten një kriminel? Se unë kështu e shikoj. Janë krime të qarta. Pastrimi i parave po bëhet atje, është i dokumentuar, e thonë dokumente e thotë gjithçka. Dhe dikush që do të bëjë një krim të tillë dhe do të mbrohet, ka shtetin me vete. Atëherë ose SPAK është pjesë e shtetit bandit ose SPAK duhet të funksionojë sipas Kushtetutës, që thotë se shteti funksionon në limitet e së drejtës, të mbrojë të drejtën e qytetarëve. Kjo vijë demarkacioni ka kohë që shtrohet për SPAK-un. Unë e kam shkruar dhe një artikull lidhur me këtë gjë. Përndryshe drejtësia jonë, një ditë që do të konsiderohet si drejtësia e Enver Hoxhës, që prokurorët të jenë njësoj si ato të kohës së Enver Hoxhës nuk do të kenë dot karrierë. Unë kështu e shoh. është një fatkeqësi”, tha Lubonja.
Kallzimi për librin "Albanian Files" ka të bëjë me projektet arkitekturore në Shqipëri, që nga Tirana dhe në zonat e mbrojtura natyrore. Në Zvërnec, kallëzimi lidhet me projektin turistik “Zvernec Peninsula”, në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Sipas materialeve të paraqitura, punimet kryhen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”. Kallëzuesit kërkojnë verifikimin e miratimeve administrative dhe mjedisore, si dhe transparencën e strukturës së pronësisë. Projekti është kundërshtuar nga banorë dhe aktivistë për ndikimin në mjedis dhe kufizimin e aksesit në bregdet.
Në Baks-Rrjoll, çështja përfshin resortin “Baks Bay”, të njohur më herët si “Blue Borgo”, të kompanisë “Gener 2”. Projekti parashikon 35 blloqe rezidenciale, nga një deri në dhjetë kate, në rreth 147,2 hektarë mes Lagunës së Vilunit dhe Ranës së Hedhun. Kallëzuesit kërkojnë hetimin e vendimeve të KKT-së dhe sqarimin e statusit të investitorit strategjik. Banorët kanë kundërshtuar projektin dhe kanë ngritur pretendime pronësie mbi tokën.
Në Divjakë-Karavasta, kallëzimi i referohet masterplanit “Kingscoast”, të depozituar në tetor 2023. Sipas kallëzuesve, ai parashikon zhvillim urban brenda parkut kombëtar, ndërsa territori figuron ende si zonë e mbrojtur. Kërkohet të verifikohet përputhshmëria e projektit me kufizimet ligjore dhe mjedisore.
