
Mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ditën e sotme është përfshirë nga debatet për dhunën e ushtruar gjatë protestave të fundit të revoltës studentore. Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, ka kërkuar që para së të nisin diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2027 të trajtoheshin si fillim çështjet që lidhen me dhunën ndaj protestuesve. Pas kësaj deputetët e mazhorancës kërkuan vijimin e punës me rendin e ditës.
Tabaku ngriti në këtë mëyrë shqetësimin për mungesën e përfaqësuesve të qeverisë në komision, duke përmendur Mnistrin e Brendshëm dhe Gogun të cilin citoi se e kishte kërkuar për të raportuar.
“Ky komision nuk mund të funksionojë jashtë realitetit. Gogu sot nuk është paraqitur në Komision. Kam kërkuar edhe Ministrin e Brendshëm dhe nuk ka ardhur. Kemi pasur dhunë ndaj qytetarëve, por edhe gazetarëve. Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kisha shpresuar që ta shihnim protestën si kambanë alarmi”, theksoi Tabaku.
Pas fjalës së saj deputeti i PS-së, Ramion Kurti, ngriti çështjen e dhunës ndaj efektivëve të policisë gjatë protestave, duke akuzuar opozitën se nuk po mban të njëjtin qëndrim edhe për këto raste.
“Selia e PD është kthyer në magazinë molotovi, përse nuk flisni edhe për policët e lënduar? Kryeministri po i jep çdo ditë mundësinë protestuesve për dialog dhe diskutim për të zgjidhur problematikat. Këto standarde nuk ju shkojnë përshtat. Kishit interpelancë me Ministrin e Brendshëm dhe erdhët dhunat seancën parlamentare”, u shpreh Kurti.
Tabaku ndërkohë reagoi duke shtuar se e kishte dënuar dhunën e protestave të të rinjvë në Tiranë dhe se, sipas saj, përgjegjësia duhet të ishte e njëjtë për të gjitha palët.
“Unë kam dalë dhe e kam dënuar dhunën para jush, sepse kam respekt për shtetin ligjor. Por dhuna duhet dënuar nga të dyja anët. E kam parë vetë me sytë e mi dhunën ndaj të rinjve, me kocka të thyera. Nuk fola për seli partish, sepse mund të flisja edhe për huliganët që mbronin PS”, deklaroi Tabaku.
Gjatë diskutimeve deputetja e PS-së Iris Luarasi pohoi se nga opozita nuk kishte pasur një qëndrim zyrtar për dhunën ndaj policisë, ndërsa përmendi edhe reagimet nga përfaqësues të mazhorancës për veprimet e efektivëve.
“Nga PD nuk kemi parë në asnjë moment qëndrim zyrtar për dhunën ndaj policisë. Nga mazhoranca ka pasur nga ata që kanë folur në lidhje me reagimin jo proporcional të policisë në raste të caktuara”, u shpreh Luarasi.
Tabaku këmbënguli se përpara shqyrtimit të projektbuxhetit duhej të diskutoheshin çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe dhunën gjatë protestave. Ajo deklaroi se nuk do të merrte pjesë në diskutimet e tjera nëse këto shqetësime nuk trajtoheshin.
“Para se të diskutojmë buxhetin, duhet të diskutojmë për këto të drejta të njeriut. Ju nuk flisni për dhunën e ushtruar nga shteti dhe më kërkoni llogari për veprimet e PD. Nuk ndodhemi këtu prej PD. Përderisa nuk diskutohen këto çështje, nuk marr pjesë në diskutime të tjera”, deklaroi kryetarja e komisionit.
Nga ana e tij, deputeti i PS-së, Ardit Bido, kërkoi që komisioni të vijonte me shqyrtimin e projektbuxhetit, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi dhe duke kritikuar opozitën për mënyrën e ushtrimit të aktivitetit parlamentar.
“Nuk jetojmë në një vend ku njerëzit vriten në protestë. Jetojmë në një vend ku e drejta e protestës është e garantuar dhe mazhoranca nuk fshihet pas gardës dhe policisë, por dënon çdo individ të policisë së shtetit që shkel ligjin, ndryshe çfarë keni bërë ju, që i keni mbrojtur. Ne mblidhemi në këtë komision dhe jeni vetëm ju dhe znj. Bardeli. Parlamentin e përdorni vetëm për deklarata publike si të ishte zyrë shtypi. Nuk merreni me punën reale që janë ligjet, kontrolli. Ju refuzuat ta merrnit Ministrin e Brendshëm në interpelancë. Sot kemi ligjin më të rëndësishëm të gjithë vitit kalendarik, buxhetin e shtetit. Ju kërkoj të vazhdojmë me thelbin e mbledhjes së sotme”, u shpreh Ardit Bido.
Në fund të diskutimeve mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës Jorida Tabaku u largua nga mbledhja, duke ia lënë drejtimin deputetes Iris Luarasi.